PDK-ja kërkon seancë urgjente për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara
Foto:Laura Hasani

PDK-ja kërkon seancë urgjente për miratimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara

Aktuale October 06, 2026 - 12:19

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) i ka bërë thirrje kryetares së Kuvendit që të thërrasë urgjentisht seancën plenare për përmbylljen e procedurës së miratimit të projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara.

PDK-ja ka deklaruar se institucionet dhe përfaqësuesit politikë duhet të veprojnë pa vonesë, duke e konsideruar miratimin e këtij ligji si përgjegjësi të përbashkët politike dhe shtetërore.

“Ky ligj është më i madh se secila parti: ai lidhet drejtpërdrejt me të kaluarën, të tashmen dhe të ardhmen e shtetit të Kosovës. Prandaj, miratimi i tij kërkon unitet politik dhe përgjegjësi ndaj vendit”, thuhet në komunikatën e PDK-së.

Partia ka theksuar se prioriteti i saj është që procesi i miratimit të përfundojë në dy lexime dhe ka pretenduar se nuk ekziston pengesë ligjore apo procedurale për votimin e tij në lexim të dytë.

“Nëse ka pasur vota të mjaftueshme për miratimin në lexim të parë, i njëjti vullnet duhet të dëshmohet edhe në lexim të dytë”, thuhet në komunikatë.

PDK-ja ka kërkuar që kjo çështje të mos shndërrohet në “pazar politik” ose të përdoret për kushtëzime partiake.

Partia ka reaguar edhe për protestën e mbrëmshme, duke dënuar atë që e ka cilësuar si “dhunë joproporcionale” të Policisë së Kosovës ndaj protestuesve.

“Protesta është e drejtë e çdo qytetari. Qytetarët kanë të drejtë të shprehin kundërshtimin ndaj vendimit në Hagë dhe të kërkojnë miratimin e ligjit në lexim të dytë. Kjo e drejtë duhet të respektohet dhe të mbrohet nga institucionet”, thuhet në reagim.

PDK-ja ka kërkuar nga Qeveria, kryeministri dhe Ministria e Punëve të Brendshme që, sipas saj, të ndalin veprimet jashtë rolit dhe kompetencave kushtetuese e ligjore dhe ka kundërshtuar përdorimin e forcës ndaj protestuesve.

Në fund, PDK-ja ka njoftuar se do t’i adresojë në Inspektoratin Policor të Kosovës rastet që, sipas saj, lidhen me dhunë dhe tejkalim të autorizimeve policore, duke kërkuar hetim dhe llogaridhënie për përgjegjësinë në urdhërimin dhe zbatimin e këtyre veprimeve. /Zëri