BDI: Interesi kombëtar dhe vlerat e UÇK-së mbi interesat politike
Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar për zhvillimet politike dhe institucionale në Kosovë, duke theksuar se interesi kombëtar dhe vlerat e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës duhet të jenë mbi interesat politike të ditës.
“Bashkimi Demokratik për Integrim, me vëmendje të veçantë po i përcjell zhvillimet politike dhe institucionale në Republikën e Kosovës, veçanërisht ato që kanë të bëjnë me mbrojtjen e vlerave sublime të kombit shqiptar, të cilat janë ndërtuar dhe dëshmuar ndër breza”, thuhet në reagimin e BDI-së.
Sipas BDI-së, në historinë moderne të kombit shqiptar, një prej këtyre vlerave është Ushtria Çlirimtare e Kosovës.
“Pa dyshim, në historinë moderne të kombit tonë, një prej këtyre vlerave sublime është Ushtria Çlirimtare e Kosovës, kontributi i së cilës në lirinë dhe shtetësinë e Kosovës mbetet vendimtar”.
BDI thekson se UÇK-ja është vlerë e përbashkët kombëtare.
“UÇK-ja është vlerë e përbashkët kombëtare. Ajo i takon gjithë kombit shqiptar dhe qëndron mbi partitë politike, mbi dallimet dhe interesat e ditës. UÇK-ja është një prej vlerave që ka bashkuar shqiptarët në momentet më të rëndësishme të historisë së tyre të re dhe kontributi i saj duhet të trajtohet me përgjegjësi, dinjitet dhe respekt institucional”.
Në reagim thuhet se përgjegjësia bie mbi autoritetet e Republikës së Kosovës që të gjejnë një zgjidhje nga situata.
“BDI thekson se përgjegjësia bie mbi autoritetet e Republikës së Kosovës që të gjejnë një zgjidhje nga kjo situatë, e cila do të jetë në përputhje me mbrojtjen e vlerave të UÇK-së, mbrojtjen e dinjitetit të pjesëtarëve të saj dhe interesin e përgjithshëm të vendit”.
BDI thekson se interesat politike të ditës duhet t’i lënë vend interesit kombëtar, unitetit dhe përgjegjësisë shtetërore.
“Në këto momente, interesat politike të ditës duhet t’i lënë vend interesit kombëtar, unitetit dhe përgjegjësisë shtetërore, duke ruajtur atë që UÇK-ja përfaqëson për kombin shqiptar dhe për historinë e Kosovës”.