Mbi dy mijë euro borxhe, KRU “Gjakova” shkyç konsumatorët nga rrjeti
Konsumatorët që kanë grumbulluar detyrime të mëdha ndaj KRU “Gjakova” po përballen me masa për ndërprerjen e furnizimit me ujë.
Ekipet përgjegjëse për kontroll dhe shkyçje kanë ndërhyrë ndaj rasteve ku borxhet kanë kaluar vlerën prej 2 mijë eurosh. Në disa prej rasteve të evidentuara, detyrimet kanë tejkaluar edhe 3,700 euro.
Kompania ka bërë të ditur se konsumatorët me këto obligime janë larguar nga rrjeti si pjesë e masave për arkëtimin e borxheve të akumuluara.
Nga KRU “Gjakova” kanë përsëritur thirrjen që qytetarët t’i përmbushin detyrimet financiare ndaj kompanisë, duke paralajmëruar vazhdimin e aksionit edhe në ditët në vijim.
“KRU “Gjakova” Sh.A. apelon te të gjithë konsumatorët që nuk i kanë kryer obligimet ndaj kompanisë që t’i shlyejnë ato me kohë. Kompania do të vazhdojë me shkyçjet dhe nuk do të kursehet asnjë konsumator me borxhe të papaguara”, thuhet në njoftim.