Protesta e 131-të në Tiranë zhvendoset para Kuvendit kundër reformës territorial

Protesta e 131-të në Tiranë zhvendoset para Kuvendit kundër reformës territorial

Aktuale October 08, 2026 - 23:10

Qytetarët u mblodhën në protestën e 131-të në kryeqytet ndërsa mbrëmjen e sotme, ata marshuan nga sheshi Skënderbej drejt Kuvendit, ku po zhvillohet seanca plenare dhe pritet të miratohet reforma territoriale që kundërshtohet prej tyre dhe nga opozita.

Qytetarët shprehen kundër kësaj reforme dhe kanë protestuar sot që në orët e paradites përballë godinës së Kuvendit.

Ata bënë thirrje për anulimin e votimit si dhe shkrirjen e qeverisë, jo të bashkive.

Qytetarët u mblodhën edhe paradite përpara Kuvendit, ku disa prej tyre kanë shtyrë dhe goditur me vezë, domate, gurë dhe sende të tjera punonjësit e Policisë të angazhuar për garantimin e rendit dhe sigurisë. Më pas Policia ka shoqëruar deri në orën 17:30, tetë persona që kryenin veprime të dhunshme.

E nisur më 31 maj në kundërshtim të investimit në Zvërnec, protesta qytetare përgjatë këtyre muajve ka zgjeruar spektrin e kërkesave duke nisur nga anulimi i ndryshimeve ligjore për zonat e mbrojtura, tek anulimi i “Paketës së Maleve”./atsh