Çitaku senatorëve amerikanë: Të vërtetën e UÇK-së do ta mbrojmë gjithmonë
Foto: Facebook

Çitaku senatorëve amerikanë: Të vërtetën e UÇK-së do ta mbrojmë gjithmonë

Aktuale October 13, 2026 - 14:08

Sot, në Ambasadën e SHBA-së në Prishtinë, sekretarja e përgjithshme e PDK-së, Vlora Çitaku, së bashku me senatorët amerikanë Jeanne Shaheen dhe Dick Durbin, folën për raportin e veçantë dhe rëndësinë e rifillimit të Dialogut Strategjik mes dy vendeve.

Përmes një postimi në profilin e saj zyrtar në rrjetin social Facebook, Çitaku thotë se ShBA-ja ka qenë pranë Kosovës në momentet vendimtare të përpjekjeve për liri dhe pavarësi.

“Bashkë duam ta vazhdojmë rrugëtimin drejt një Kosove më të sigurt, më të zhvilluar dhe, shpresoj, së shpejti pjesë të familjes euroatlantike. UÇK-ja dhe NATO-ja u bënë bashkë për lirinë e Kosovës dhe për ta ndalur regjimin gjenocidal të Serbisë. Ky bashkim shpëtoi jetë dhe i hapi Kosovës rrugën drejt një të ardhmeje të lirë e shpresëdhënëse”, shkroi ajo.

Pos të tjerash, ajo tha se lufta e popullit ishte e drejtë, e pashmangshme dhe çlirimtare.

“Paraqitja e saj si ‘ndërmarrje e përbashkët kriminale’ cenon të vërtetën e asaj që mbrojtëm bashkë. Këtë të vërtetë do ta mbrojmë gjithmonë, me krenari, vendosmëri dhe argumente. Mirënjohje SHBA-së dhe senatorëve për vizitën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, edhe në kohët kur kjo kërkon më shumë angazhim, vetëmohim e vendosmëri”.