Qalaj: Pres që Shiroka-Pula ta emërojë sa më shpejt anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ
Foto: Laura Hasani

Qalaj: Pres që Shiroka-Pula ta emërojë sa më shpejt anëtarin e dytë të PDK-së në KQZ

Aktuale October 13, 2026 - 15:36

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) nga radhët e PDK-së, Rashit Qalaj, pret që presidentja Justina Shiroka-Pula ta emërojë sa më shpejt anëtarin e dytë të kësaj partie në KQZ.

Në një deklaratë për Ekonominë Online, Qalaj ka thënë se KQZ-ja po funksionon prej kohësh pa anëtarin e 11-të, duke theksuar nevojën për kompletimin e përbërjes së këtij institucioni.

Ai ka thënë se pret që presidentja të bazohet në praktikën e mëparshme dhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese.

“Unë mendoj se presidentja do t’i ushtrojë funksionet e saj dhe do të bazohet si në përvojën e së kaluarës, ashtu edhe në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Pa dyshim që anëtari i 11-të, ose anëtari i dytë, do të jetë nga Partia Demokratike e Kosovës”, ka thënë ai.

Çështja e emërimit të anëtarit të 11-të të KQZ-së ka mbetur e pazgjidhur që nga koha e ish-presidentes Vjosa Osmani, ndërsa për këtë pozitë pretendime ka paraqitur edhe Lëvizja Vetëvendosje.