Kurti shpreh ngushëllime për katër viktimat e aksidentit në Greqi: Humbje e madhe për diasporën shqiptare
Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka shprehur pikëllimin e tij për vdekjen tragjike të katër personave, mes tyre avokatja shqiptaro-amerikane Florida Hoxha, të cilët humbën jetën në një aksident në Greqi.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Kurti ka kujtuar takimin me Floridën vitin e kaluar në New York, gjatë vizitës së tij zyrtare për Javën e Nivelit të Lartë të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Ai ka treguar se Florida ishte ndër moderatoret e një bashkëbisedimi të organizuar nga Albanian Professionals and Entrepreneurs Network (APEN), ku morën pjesë pjesëtarë të mërgatës shqiptare.
Kurti ka shprehur ngushëllime edhe për vdekjen e bashkëshortit të saj, Ian Kirkpatrick, vëllait Florin Hoxha dhe Eris Canit, bashkëshortes së vëllait, e cila ishte në muajin e pestë të shtatzënisë.
“Edhe në këtë kohë të shkurtër ishin të dukshme ato veçori që e kanë bërë Floridën kaq të dashur nga miqtë, kolegët dhe klientët e saj: optimizmi dhe idealizmi, respekti ndaj të gjithëve si njerëz të barabartë dhe një përkushtim për të ndërtuar ura të qëndrueshme midis mërgimtarëve tanë në SHBA dhe vendeve të tyre të origjinës”, ka shkruar Kurti.
Kreu i Qeverisë ka vlerësuar kontributin e katër të ndjerëve, duke theksuar se ata ishin profesionistë të rinj që kishin arritur të kontribuonin shumë brenda një kohe të shkurtër dhe kishin synime për të bërë edhe më shumë në të ardhmen.
“Florida, Ian, Florini dhe Erisi nuk janë më në mesin tonë. Kjo është një humbje e madhe për të gjithë ata që janë prekur nga këta katër profesionistë të rinj”, ka shkruar Kurti.
Në fund të mesazhit të tij, kryeministri ka shprehur ngushëllime për familjet dhe miqtë e viktimave.