Kosova merr sinjale nga SHBA-ja për qëndrimin e përhershëm të Kampit “Bondsteel”

Kosova merr sinjale nga SHBA-ja për qëndrimin e përhershëm të Kampit “Bondsteel”

Aktuale October 17, 2026 - 23:15

Kampi Bondsteel mund të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane në Kosovë. Bisedimet mes Prishtinës dhe Uashingtonit pritet të nisin së shpejti, pasi Kosova ka marrë përgjigje pozitive nga pala amerikane.

Bazë ushtarake e përhershme nuk është, por i tillë mund të bëhet.

Është ky kampi ushtarak në Kosovë, i njohur si “Bondsteel”.

Këtu nga qershori i vitit 1999, u vendosen trupat amerikane që shërbejnë në kuadër të misionit të NATO-s në Kosovë.

E qëndrimi i tyre në bazën më të madhe amerikane në Evropë, mund të bëhet i përhershëm.

Madje për këtë Kosova dhe SHBA-ja pritet t’i nisin së shpejti bisedimet, pas përgjigjes pozitive që institucionet kosovare thonë se kanë marrë nga pala amerikane.

“Detajet do të jepen pas fillimit të bisedimeve. Bisedimet do të fillojnë së shpejti dhe ne së bashku me palët amerikane, kemi marrë përgjigje pozitive për të diskutuar. Nuk është vendosur asgjë, por do të diskutohet”, tha Ministri I Mbrojtjes, Ejup Maqedonsi.

Mundësinë e shndërrimit të Bondsteel-it në bazë të përhershme amerikane, e kanë mirëpritur edhe ekspertët e sigurisë.

Sipas Fatmir Qollakut, ky është një sinjal i rëndësishëm i mbështetjes së vazhdueshme të Uashingtonit për Kosovën.

“E marrë si inkurajim më i madh deri më tani i bërë publik. Një mbështetje konsistente e ShBA-së për Kosovën. Ky është një fillim i legjitimit të bashkëpunimit bilateral me ShBA-së dhe Kosovës në fushën e sigurisë. ShBA këtu është unilaterale në raport me anëtar tjerë të NATO-së, në raport me Kosovën në kuptimin e këtij bashkëpunimi për të shndërruar në bazë të përhershme, në bazë të fortë Bondsteel, bazën më të madhe në Ballkan, që i bije si përgjigjeje ndaj Serbisë. ShBA po do me metë këtu”, pohoi Qollaku.

Përveç aspektit të sigurisë, një marrëveshje e tillë do të përfshinte edhe ndarjen e përgjegjësive financiare mes dy vendeve.

“Dy vendet do të investojnë, do të mbajnë trupa, prezencë dhe do të zhvillojnë aktivitete të përbashkëta duke ndarë përgjegjësitë. Është një politikë e re e presidentit Trump që kërkon nga shtetet që ka partneritet që të bashkëfinancojnë që të mundësojnë një kooperim afatgjatë mes dy vendeve”, deklaroi Maqedonsi.

Ndërkaq, ekonomisti Fidan Qerimi vlerëson se një bazë e përhershme amerikane do të përbënte një kosto më të lirë për Kosovën në aspektin e mbrojtjes.

“Është një hap strategjik i menduar në aspektin e sigurisë. Nuk është që kemi investime e kapacitete të mëdha të sigurisë dhe një bazë e përhershme ushtarake e ShBA-së është një siguri më e lartë sesa ta kemi një mbrojtje tonën. Për të investuar që të kemi një siguri të lartë vetanake, do të duhej të investonim shumë më shumë. Kjo është një zgjidhje më e lirë për neve”, theksoi Qerimi.

Për shndërrimin e Kampit Bondsteel në bazë të përhershme amerikane ka folur edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.

Ai e ka ripërsëritur këtë kërkesë gjatë vizitave të fundit në SHBA. /tëvë1