Dita e gjashtë e protestave në Tiranë

Dita e gjashtë e protestave në Tiranë

Aktuale October 18, 2026 - 13:16

Studentët në Tiranë kanë vazhduar të dielën protestën për të gjashtën ditë radhazi, duke u mbledhur para Ministrisë së Arsimit. Para ndërtesës është vendosur një kordon policor, ndërsa dritaret e institucionit janë blinduar në pritje të zhvillimit të protestës, e cila deri më tani po zhvillohet e qetë, pa incidente të raportuara.

Protestat e ditëve të fundit, ku janë përfshirë studentë, nxënës dhe qytetarë, janë shoqëruar edhe me përplasje me Policinë e Shtetit dhe akte dhune, raporton RTSH.

Të premten, më 17 tetor, situata u tensionua për disa orë, nga Ministria e Arsimit deri në bulevardin “Dëshmorët e Kombit” dhe zona të tjera të kryeqytetit.

Gjatë protestës, demonstruesit hodhën koktej molotovi drejt ish-hotel “Dajtit”, ku ndodhen zyrat e Bankës së Shqipërisë, duke i vënë flakën hyrjes së institucionit. Zjarre u raportuan edhe në ambientet e Gjykatës së Lartë, ndërsa u dogjën një biznes dhe disa automjete në afërsi të saj./rtsh