Kurti në Procesin e Berlinit përmend sulmin në Banjskë dhe Ibër-Lepenc

Kurti në Procesin e Berlinit përmend sulmin në Banjskë dhe Ibër-Lepenc

Aktuale October 22, 2026 - 14:34

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar nga Bashkimi Evropian që t’i japë Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapë negociatat për anëtarësim, duke kritikuar vonesën në shqyrtimin e aplikimit të dorëzuar në dhjetor të vitit 2022.

Në fjalimin e tij në seancën plenare të Samitit XIII të Procesit të Berlinit, të mbajtur në Mal të Zi, Kurti tha se Kosova ka përmbushur atë që i takonte të bënte, ndërsa vendimi për statusin e kandidatit është në duart e BE-së.

“Ne kemi bërë atë që na përkiste vetëm neve të bënim. Aplikimi i Kosovës po pret, që nga dhjetori i vitit 2022, për një vendim që i përket ekskluzivisht BE-së. Deri atëherë, mbetemi i vetmi shtet në Ballkanin Perëndimor pa statusin e vendit kandidat”, deklaroi Kurti.

Ai u bëri thirrje vendeve anëtare që të ndërmarrin hapat konkretë për avancimin e procesit të integrimit evropian të Kosovës.

“Kërkojmë nga ju ta merrni vendimin: të kërkoni opinionin e Komisionit, t’i jepni Kosovës statusin e vendit kandidat dhe të hapni negociatat për anëtarësim”, tha ai.

Kurti vlerësoi se Kosova ka shënuar përparim në fushën e demokracisë, luftës kundër korrupsionit dhe sundimit të ligjit, duke theksuar se vendi është i përkushtuar ndaj vlerave evropiane.

“Ne i qëndrojmë vlerave të Nenit 2, dhe vlerësimet e pavarura na vendosin ndër shtetet me përparimin më të madh demokratik në Evropën Juglindore, nga lufta kundër korrupsionit deri te sundimi i ligjit”, u shpreh ai.

Kryeministri theksoi gjithashtu se Kosova i ka zbatuar që nga fillimi të gjitha sanksionet e Bashkimit Evropian kundër Rusisë.

“Në politikën e jashtme, ne veprojmë sikur vend anëtar: nga dita e parë, kemi zbatuar secilin sanksion të BE-së kundër Rusisë, dhe te Kosova, Moska kurrë nuk ka gjetur as edhe një çarje te qëndrimi për Evropën”, deklaroi Kurti.

Ai foli edhe për përfitimet konkrete që integrimi gradual evropian mund t'u sjellë qytetarëve të Kosovës, duke përmendur përfshirjen në Zonën e Vetme të Pagesave në Euro (SEPA), përshpejtimin e tregtisë përmes korridoreve të gjelbra dhe uljen e kostove të roamingut.

Sipas tij, përmes SEPA-s, qytetarët e Kosovës dhe mërgata pritet të kursejnë 58 milionë euro në vit.

Në fjalimin e tij, Kurti ngriti edhe çështjen e sigurisë në rajon, duke e lidhur atë me sulmet në Kosovë dhe ndikimin e Rusisë në Evropë.

Ai përmendi sulmin e armatosur në Banjskë, më 24 shtator 2023, ku u vra rreshteri policor Afrim Bunjaku, si dhe shpërthimin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë, në nëntor të vitit 2024.

Kurti akuzoi Serbinë për përdorimin e metodave që synojnë destabilizimin e Kosovës dhe theksoi se Milan Radoiçiq, të cilin e cilësoi si përgjegjës për sulmin në Banjskë, vazhdon të jetë i lirë.

“Sulmi ndaj një demokracie evropiane është sulm ndaj gjithë Evropës dhe meriton përgjigje kolektive, sepse reagimi që ndërtohet rast pas rasti nuk është parandalues. Për Kosovën anëtarësimi në NATO sjell edhe parandalimin”, tha Kurti.

Ai theksoi se, sipas tij, përpjekjet për të siguruar stabilitet duke bërë kompromise në kurriz të demokracive fqinje janë të rrezikshme.

“Blerja e stabilitetit në kurriz të demokracive fqinje është dëshmuar mit i rrezikshëm, sepse ata që krijojnë jostabilitet nuk mund të garantojnë stabilitet”, u shpreh kryeministri.

Një pjesë të fjalimit, Kurti ia kushtoi edhe të drejtave të pakicave në Ballkanin Perëndimor, duke kërkuar që kjo çështje të trajtohet më seriozisht në kuadër të Procesit të Berlinit.

Ai u bëri thirrje pjesëmarrësve të samitit që të përqendrohen te gjendja e shqiptarëve në Luginën e Preshevës.

“Ju bëj thirrje të shikoni nga afër Luginën e Preshevës, ku shqiptarët, hap pas hapi, po shtyhen jashtë institucioneve, jetës publike e qytetare, derisa qëndrimi po bëhet shumë më i vështirë sesa largimi”, deklaroi Kurti.

Në përfundim, ai theksoi se dinjiteti njerëzor dhe të drejtat e njeriut duhet të jenë në themel të bashkëpunimit mes vendeve të rajonit dhe Bashkimit Evropian. /Zëri