PDK-ja i kërkon Presidentes rikthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara
Foto: Laura Hasani

PDK-ja i kërkon Presidentes rikthimin e ligjit për Dhomat e Specializuara

Aktuale October 22, 2026 - 17:15

Partia Demokratike e Kosovës përmes një letre i ka kërkuar presidentes Justina Shiroka-Pula që ta rikthej për shqyrtim në Kuvend, Ligjin për Dhomat e Specializuara.

Sipas PDK-së, përmes rishqyrtimit do të mundësohej plotësimi i dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, në funksion të interesit shtetëror dhe garantimit të plotë të të drejtave kushtetuese të çlirimtarëve tanë të cilët po gjykohen pranë Dhomave të Specializuara.

“PDK-ja është krenare për nismën e saj ligjore dhe mbështetjen që ajo ka marrë. Mbrojtja e UÇK-së, e vlerave të luftës çlirimtare dhe mbështetja për çlirimtarët në Hagë mbeten përgjegjësi të panegociueshme.

Ligji është i finalizuar në pjesën dërrmuese të tij. Rishqyrtimi synon një verifikim përfundimtar profesional dhe adresimin e elementeve që mund të pengojnë zbatimin e tij. Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para. Ky proces duhet t’i shërbejë finalizimit dhe hyrjes së ligjit në fuqi, pa vonesa të panevojshme”, thuhet në komunikatë.

Po ashtu, PDK-ja ka ftuar ekspertët juridic që të kontribuojnë në këtë çështje.

“Gatishmëria për ta përmirësuar ligjin nuk është në asnjë mënyrë tërheqje prej tij. PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi. Qëndrojmë prapa nismës sonë, kërkesës qytetare dhe zotimit për të mos i lënë vetëm çlirimtarët tanë”, thuhet ndër tjera. /Zëri