Pacientja me kancer vdiq pasi mbeti pa terapi, Zemaj: Dorëheqja e Vitisë është më e pakta [video]
Foto: Laura Hasani

Pacientja me kancer vdiq pasi mbeti pa terapi, Zemaj: Dorëheqja e Vitisë është më e pakta [video]

Aktuale October 22, 2026 - 21:14

Ish-ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj, ka kërkuar dorëheqjen e ministrit aktual, Arben Vitia, pas vdekjes së një pacienteje me kancer të gjirit, e cila, sipas organizatës “Renesansa”, kishte mbetur për katër muaj pa terapinë e nevojshme.

Përmes një reagimi në Facebook, Zemaj ka kritikuar menaxhimin e situatës dhe ka ngritur pikëpyetje lidhur me përgjegjësinë e ministrit dhe të Qeverisë.

“Si ndihet ministri i Shëndetësisë pasi ka dëgjuar zërin e pacientes, e cila humbi jetën në mungesë të ilaçeve? Si vazhdon ta arsyetojë e ta mbrojë këtë keqmenaxhim dhe këtë paaftësi edhe qeveria e mashtrimit?”, ka shkruar Zemaj.

Ai ka ngritur gjithashtu pyetje për prioritetet e institucioneve shëndetësore, duke kritikuar atë që e ka cilësuar si mbrojtje të interesave të pushtetit në dëm të qytetarëve.

“Turpi s’ka kufij! Dorëheqja është më e pakta që do të duhej të ndodhte”, ka përfunduar Zemaj.

Shoqata e Pacientëve me Kancer të Gjirit, “Renesansa”, ka njoftuar se pacientja kishte mbetur për katër muaj pa medikamentin Palbociclib, ndërsa gjatë kësaj kohe gjendja e saj ishte përkeqësuar dhe i ishin shfaqur metastaza të reja në tru.

Sipas raportimeve, bari kushton deri në 1 mijë e 800 euro, shumë që pacientja nuk kishte mundësi ta përballonte vetë.

Ndërkaq, ministri Vitia dhe Qeveria i kanë cilësuar si keqinformim raportimet lidhur me mungesën e terapisë