Rama takon ambasadorin e ri francez, diskutojnë bashkëpunimin në arsim, kulturë dhe teknologji

Rama takon ambasadorin e ri francez, diskutojnë bashkëpunimin në arsim, kulturë dhe teknologji

Aktuale October 23, 2026 - 11:05

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka pritur të premten në Odën e Kryeqytetit ambasadorin e ri të Francës në Kosovë, Jean-François Huchet, me të cilin ka diskutuar për mundësitë e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Rama ka bërë të ditur se në takim është diskutuar për shkëmbimet ndërmjet shkollave, mësimin e gjuhës frënge dhe nismat e përbashkëta në fushën e arsimit, kulturës dhe teknologjisë.

Ai ka theksuar se bashkëpunimi me Francën mund të luajë rol të rëndësishëm në përgatitjet për Prishtinën 2030, duke kontribuar në realizimin e projekteve që do t’i shërbejnë qytetit edhe pas këtij viti.

“Prishtina 2030 kërkon angazhim të përbashkët dhe përshpejtim të përgatitjeve, andaj bashkëpunimi me Francën mund të ndihmojë që kjo mundësi e madhe të kthehet në projekte që do t’i shërbejnë qytetit edhe shumë pas vitit 2030”, ka shkruar Rama.

Ai ka theksuar se partneritetet kanë vlerë kur krijojnë mundësi për të rinjtë dhe sjellin projekte që i mbesin qytetit.