Kirurgu shqiptar në SHBA: Kosova nuk ka sistem të integruar për trajtimin e traumës, ATLS synon unifikimin e trajtimit

Kirurgu shqiptar në SHBA: Kosova nuk ka sistem të integruar për trajtimin e traumës, ATLS synon unifikimin e trajtimit

Aktuale October 24, 2026 - 08:30

Kosova nuk ka një sistem të integruar për trajtimin e traumës, nga momenti i lëndimit në terren deri te rehabilitimi dhe lirimi i pacientit në shtëpi, ka vlerësuar kirurgu i traumës dhe kujdesit akut në Sanford Medical Center në Fargo, si dhe profesori i kirurgjisë në Universitetin e Dakotës së Veriut në ShBA, Mentor Ahmeti. 

Ahmeti në një intervistë për Ekonomia Online, ka theksuar se në Kosovë ka hapësirë të madhe për përmirësimin e këtij sistemi, ndërsa kursi ATLS (Advanced Trauma Life Support), i cili ofron trajnim të specializuar për trajtimin e pacientëve me trauma, synon që mjekët në të gjitha qendrat shëndetësore të trajnohen sipas standardeve të njëjta.

Ai ka thënë se synimi është që kursi ATLS të bëhet standard i kërkuar për profesionistët shëndetësorë që merren me pacientët e lënduar në Kosovë.

“Momentalisht Kosova nuk ka një sistem të integruar të traumës, prej terenit deri në rehabilitim apo lëshim te shtëpia. Edhe mendoj se ka një hapësirë shumë të madhe në të cilën mund të ndërtohet një sistem i shëndoshë për trajtimin e përgjithshëm të traumës, prej lëndimit në teren, në fushë, në rrugë, kudo, në shtëpi, deri te rregullimi i rehabilitimit edhe lirimi i pacientit në shtëpi si i shëndoshur”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka shpjeguar se kursi ATLS zhvillohet në mënyrë intensive për dy ditë e gjysmë, me 10 deri në 12 orë trajnim në ditë, duke përfshirë diskutime për trajtimin e traumave dhe zhvillimin e aftësive praktike për ndërhyrjen te pacientët e lënduar.

“Kursi është shumë intensiv dy ditë e gjysmë. Kursi është diku 10-12 orë në ditë, për çdo ditë, edhe ka një qasje shumë intensive të diskutimeve të traumave të përgjithshme, gjysma tjetër e kursit është zhvillimi i aftësive operacionale apo intervenimeve për pacientët e lënduar. Do të thotë se kursi e formon një themel për një qasje të konsoliduar ndaj trajtimit të traumës, pa marrë parasysh a është në Prizren, a është në Pejë, a është në Vushtrri, apo në Prishtinë, të gjithë mjekët që vijnë nga ato qendra për ta mbajtur kursin, e mësojnë kursin në mënyrë të njëjtë dhe komunikimi i tyre me transfer edhe me trajtim të pacientëve do të jetë i njëjtë”, ka deklaruar ai.

Ahmeti ka bërë të ditur se synimi është që nëpër këtë trajnim të kalojë i gjithë stafi shëndetësor në Kosovë që merret me pacientët e lënduar.

Sipas tij, pajisjet teknike dhe mungesa e stafit janë dy çështje të ndryshme, ndërsa përmirësimi i trajtimit të traumës nuk kërkon domosdoshmërisht investime të mëdha në teknologji.

“Do të thotë pajisjet teknike edhe mungesa e stafit janë dy çështje të ndryshme. Mendoj se për trajtimin e përgjithshëm të traumës nuk duhet edhe shumë teknikë. Hapësirat janë shumë të rregullueshme, kado Kosovës. Sa i përket stafit e kam shumë të vështirë ta komentoj, mirëpo qëllimi ynë është që të trajnojmë të gjithë stafin i cili ekziston në Kosovë edhe i cili mirret me pacientin e lënduar, që ta trajnojmë dhe ta kalojmë nëpër kursin ATLS. Jemi në bisedime për një kohë me Ministrinë e Shëndetësisë edhe me SHSKUK-në, në mënyrë që ATLS të bëhet një standart, i cili është i kërkuar për të gjithë ata të cilët e trajtojnë pacientin e lënduar në Kosovë”, ka thënë Ahmeti.

Ai ka theksuar se informatat për trajtimin e traumës dhe urgjencave në Kosovë i merr përmes pjesëmarrësve në kursin ATLS, duke shtuar se përvoja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë fushë mund të shërbejë si pikë referimi për përmirësimin e sistemit në Kosovë.

“Informatat për trajtimin e traumës edhe urgjencave në Kosovë i marr nëpërmjet nxënësve, ose studentëve të kursit ATLS në Kosovë. Unë nuk kam praktikë, nuk praktikoj si kirurg. Natyrisht, unë vij prej Shteteve te Bashkuara të Amerikës, që është shteti me sistemin më të konsoliduar të traumës, ku trauma në vete është shkencë. Në vendet e tjera të botës është pak më e mangët, ndërsa në Kosovë ekzistojnë mundësi për përmirësim shumë të madh të traumës. Shpresojmë që ky hapi jonë është hapi i parë që të bëjmë një edukim të konsoliduar për traumë. Disa pjesë të ATLS-së janë dhënë si mësime edhe më parë në pjesë specialistike të specializimeve të ndryshme në Kosovë, mirëpo si kurs i përgjithshëm, i cili jep çertifikatë amerikane, është vetëm kursi ATLS i Kosovës, i cili tash po pavarësohet edhe Kolegji i Kirurgëve të Kosovës do të vazhdojë atë punë”, ka thënë ai.

Ahmeti ka shprehur kënaqësinë me nivelin e mjekëve që marrin pjesë në trajnim, duke vlerësuar se një program i unifikuar do të ndihmonte në standardizimin e trajtimit të pacientëve të lënduar në të gjithë vendin.

“Jam shumë i lumtur edhe me të vërtetë cilësia e studentëve që vijnë në kursin tonë tregon se kemi një kalibër shumë të fortë të mjekëve këtu. Jam shumë i lumtur që po e formojmë një trajnim të njëjtë dhe uniformë për traumë për të gjithë mjekët e Kosovës, edhe shpresoj që ky kurs do të bëhet një standart i cili kërkohet nga Oda e Mjekëve dhe Ministria e Shëndetësisë për të gjithë mjekë të cilët do t’i trajtojnë qytetarët tanë me lëndime”, ka përfunduar Ahmeti.