Matoshi për Lushtakun: Më krahasoi me dikë që del nga një shtëpi publike
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adriana Matoshi, ka kritikuar gjuhën e përdorur nga kryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, ndaj saj. Ajo ka thënë se fyerjet ndaj grave që shprehin publikisht qëndrimet e tyre mund të shërbejnë si mesazh frikësues për gratë e tjera që duan të angazhohen në politikë apo të denoncojnë padrejtësitë.
Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, të thirrur pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Pejë, Matoshi iu referua një deklarate të mëparshme të Lushtakut ndaj saj, duke theksuar se, kur një person në një post publik përdor gjuhë poshtëruese ndaj një gruaje, ndikimi i saj shkon përtej personit të cilit i drejtohet.
“Sami Lushtaku më krahasoi me dikë që del nga një shtëpi publike. E tha pasi u pyet për kritikat e mia ndaj tij. Kështu zgjodhi t’i përgjigjej një gruaje që e kundërshtonte publikisht. Kur një kryetar komune e përdor këtë gjuhë, pesha e saj shkon përtej gruas që ai fyen. E dëgjon edhe vajza që po mendon të angazhohet në politikë, gazetarja që po përgatitet të bëjë një pyetje të vështirë dhe gruaja që dëshiron të denoncojë një padrejtësi. Secila e kupton kërcënimin që bart ai poshtërim: nëse na kundërshton, do të merremi me jetën dhe dinjitetin tënd”, tha Matoshi.
