AGK-ja kërkon nga institucionet e drejtësisë t’i japin fund pandëshkueshmërisë së sulmeve ndaj gazetarëve
2 Nëntori shënohet si Dita Ndërkombëtare për Dhënien Fund Pandëshkueshmërisë së Krimeve ndaj Gazetarëve.
Për këtë ka reaguar edhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, i cili ka kërkuar që rastet e dhunës ndaj gazetarëve dhe punëtorëve medialë të trajtohen seriozisht nga organet kompetente, raporton Zeri.info.
Sipas AGK-së, sipas raporteve për sigurinë e mediave ka një hendek shqetësues ndërmjet numrit të incidenteve të raportuara dhe rasteve që marrin trajtim institucional.
AGK-ja thotë se gjatë vitit 2024 u raportuan 53 raste të tilla, kurse vetëm 12 prej tyre figuronin në evidencat zyrtare të Policisë së Kosovës.
“Situata vazhdoi të ishte shqetësuese edhe gjatë vitit 2025, kur AGK-ja dokumentoi gjithsej 69 raste, ndërsa nga të dhënat institucionale të siguruara deri më 31 tetor 2025, vetëm për 12 raste kishte informacione zyrtare nga policia apo prokuroria. Nga këto, dy kishin përfunduar me vendime dënuese, ndërsa dhjetë të tjera vazhdonin të ishin në procedurë. Ndërkohë, nga 1 janari deri më 31 tetor 2026, AGK-ja ka regjistruar 33 raste të tjera, duke dëshmuar se kërcënimet, sulmet dhe format e tjera të cenimit të sigurisë së gazetarëve vazhdojnë të mbeten një shqetësim serioz që kërkon përgjigje të vazhdueshme dhe efektive nga institucionet e drejtësisë”, thuhet në reagim.
Po ashtu, AGK-ja thotë se janë evidentuar vonesa në trajtimin e këtyre rasteve, mungesë transparence për procedurat hetimore dhe gjyqësore, si dhe është vërejtur mangësi në koordinimin mes Policisë, prokurorisë e gjykatave.
AGK-ja kërkon nga institucionet kompetente që:
-Të trajtojnë me prioritet dhe pa vonesa të pajustifikuara të gjitha rastet e kërcënimeve dhe sulmeve ndaj gazetarëve, duke siguruar hetime të pavarura, të plota dhe efektive.
-Të rishikojnë statusin e rasteve të pazgjidhura nga vitet e kaluara dhe të ndërmarrin veprimet e nevojshme për përparimin e procedurave, në përputhje me ligjin.
-Të sigurojnë koordinim të vazhdueshëm ndërmjet Policisë së Kosovës, Prokurorisë dhe Gjykatave, përmes një sistemi të harmonizuar të evidentimit dhe përcjelljes së rasteve.
-Të publikojnë të dhëna periodike për numrin e rasteve të raportuara, hetimeve, aktakuzave, procedurave gjyqësore dhe vendimeve përfundimtare, duke respektuar mbrojtjen e të dhënave personale dhe integritetin e hetimeve.
-Të garantojnë masa të përshtatshme mbrojtëse për gazetarët që përballen me kërcënime, veçanërisht në rastet e përsëritura dhe ato që përfshijnë dhunë apo ngacmim me bazë gjinore.
“AGK-ja vlerëson se siguria e gazetarëve nuk mund të garantohet vetëm përmes reagimeve publike pas incidenteve. AGK-ja kërkon veprime të vazhdueshme institucionale, hetime efektive dhe vendime gjyqësore të bazuara në ligj, të cilat sigurojnë përgjegjësi për autorët e veprave penale.
Pandëshkueshmëria e sulmeve ndaj gazetarëve nuk cenon vetëm sigurinë e tyre personale dhe profesionale, por edhe lirinë e medias dhe të drejtën e qytetarëve për t’u informuar. Çdo rast që mbetet pa trajtim efektiv rrezikon të krijojë një ambient ku kërcënimet dhe dhuna ndaj gazetarëve normalizohen”, thuhet ndër të tjera. /Zëri