Qeveria mblidhet sot në orën 16:00, pritet të miratohet projektbuxheti për vitin 2027
Foto: Laura Hasani

Qeveria mblidhet sot në orën 16:00, pritet të miratohet projektbuxheti për vitin 2027

Aktuale November 02, 2026 - 11:47

Qeveria e Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, e cila është caktuar të fillojë në orën 16:00, në ndërtesën e Qeverisë.

Lajmi është bërë i ditur nga Zyra e Kryeministrit, ndërsa në këtë mbledhje pritet të shqyrtohet dhe të miratohet projektbuxheti për vitin 2027.

Se projektbuxheti do të procedohet këtë të hënë në Kuvend e kishte paralajmëruar edhe kryeministri Albin Kurti, gjatë mbledhjes së Këshillit të partisë së tij, të mbajtur të shtunën.

Me atë rast, Kurti kishte përmendur edhe investimet kapitale, për të cilat kishte thënë se do të kalojnë shumën prej një miliard eurosh.

Ndërkohë, Qeveria është përballur me kritika nga deputetët e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), të cilët e kanë akuzuar për shkelje të afatit ligjor për procedimin e projektbuxhetit të vitit 2027.

Pas mbledhjes së sotme pritet të bëhen të ditura vendimet dhe detajet e projektbuxhetit që do t'i procedohet Kuvendit për shqyrtim.