Shtetet me nxënësit më të zgjuar në botë për vitin 2026, ja ku radhitet Kosova
Foto: Laura Hasani

Shtetet me nxënësit më të zgjuar në botë për vitin 2026, ja ku radhitet Kosova

Aktuale November 02, 2026 - 10:41

Shqipëria renditet në vendin e 47-të në botë për rezultatet e nxënësve 15-vjeçarë në shkencë, matematikë dhe lexim, duke lënë pas vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor.

Sipas renditjes së përgatitur nga Visual Capitalist, duke u bazuar në rezultatet e testimit ndërkombëtar PISA 2025 të OECD-së, Shqipëria ka grumbulluar mesatarisht 425.3 pikë në të tria lëndët, duke u pozicionuar përpara Malit të Zi, Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Kosovës.

Mali i Zi renditet në vendin e 50-të me 421.3 pikë, i ndjekur nga Serbia në vendin e 51-të me 420.3 pikë. Diferenca me Shqipërinë është relativisht e vogël, përkatësisht 4 dhe 5 pikë.

Ndërkohë, hendeku është më i madh me Maqedoninë e Veriut, e cila renditet në vendin e 73-të me 371.7 pikë, dhe Kosovën, në vendin e 82-të me 349 pikë.

Image

Shqipëria ka 53.6 pikë më shumë se Maqedonia e Veriut dhe 76.3 pikë më shumë se Kosova. Megjithatë, rezultatet e nxënësve shqiptarë mbeten nën mesataren e vendeve të OECD-së në të tria lëndët.

Rezultatet PISA 2025 në Ballkanin Perëndimor

Në Shqipëri, nxënësit kanë marrë mesatarisht 435 pikë në shkencë, 433 pikë në matematikë dhe 408 pikë në lexim. Kjo e fundit rezulton fusha më e dobët, me 53 pikë më pak se mesatarja e OECD-së prej 461 pikësh. Në matematikë, diferenca me mesataren e OECD-së është 30 pikë, ndërsa në shkencë 47 pikë. Këto rezultate tregojnë se, megjithëse Shqipëria kryeson krahasimin rajonal, vazhdon të ketë një distancë të konsiderueshme nga niveli mesatar i vendeve më të zhvilluara.

Azia Lindore kryeson renditjen botërore

Në nivel global, sistemet arsimore të Azisë Lindore dominojnë renditjen, duke zënë gjashtë vendet e para. Në krye qëndrojnë katër rajonet pjesëmarrëse të Kinës, Pekini, Shangai, Jiangsu dhe Zhejiang, me një mesatare prej 578.7 pikësh, të ndjekura nga Singapori me 552.7 pikë dhe Tajvani me 531.3 pikë.

Kina kryeson në matematikë me 612 pikë dhe në shkencë me 597 pikë, ndërsa Singapori ka rezultatet më të larta në lexim, me 535 pikë. Megjithatë, rezultatet e Kinës nuk përfaqësojnë të gjithë nxënësit e vendit, por vetëm katër rajonet pjesëmarrëse në testim.

Në dhjetëshen e parë përfshihen gjithashtu Makao, Japonia, Koreja e Jugut, Estonia, Hong-Kongu, Mbretëria e Bashkuar dhe Zelanda e Re. Estonia është vendi evropian me rezultatet më të larta në këtë renditje, duke u pozicionuar e shtata në botë me 511.3 pikë.

Sipas analizës, performanca e lartë e sistemeve arsimore të Azisë Lindore lidhet me rëndësinë që i kushtohet disiplinës akademike, programeve mësimore kërkuese, përgatitjes së mësuesve dhe pritshmërive të larta të familjeve. Studimet theksojnë gjithashtu rolin e kulturës së përpjekjes dhe angazhimit në arsim.

SHBA renditet e 16-ta, Evropa mbetet konkurruese

Kanadaja renditet në vendin e 11-të me një mesatare prej 495 pikësh, ndërsa Shtetet e Bashkuara të Amerikës zënë vendin e 16-të me 485 pikë.

Nxënësit amerikanë kanë arritur rezultate më të mira në shkencë, me 502 pikë, dhe në lexim, me 490 pikë, ndërsa matematika mbetet fusha më problematike, me 463 pikë.

Analizat mbi arsimin në Amerikën e Veriut evidentojnë rënien e rezultateve të nxënësve që prej viteve 2010, të përkeqësuar nga ndërprerjet e mësimit gjatë pandemisë. Pabarazitë ekonomike dhe sociale, mungesat e vazhdueshme në shkollë dhe vështirësitë në sigurimin e mësuesve janë ndër sfidat që ndikojnë në cilësinë e arsimit.

Në Europë, përveç Estonisë, rezultate të larta shënojnë Irlanda, Zvicra, Polonia, Finlanda dhe Austria. Në rajonin më të gjerë, Kroacia renditet në vendin e 34-t me 461.3 pikë, përpara vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Ndërkohë, asnjë sistem arsimor afrikan nuk figuron në 40 vendet e para. Megjithatë, pjesëmarrja e kufizuar e vendeve afrikane në PISA nuk lejon përgjithësime për të gjithë kontinentin. UNESCO evidenton se infrastruktura e pamjaftueshme, mungesa e mësuesve, varfëria dhe pabarazitë në aksesin ndaj arsimit vazhdojnë të ndikojnë mundësitë e të nxënit. /ekofin.al