Kallasi e gatshme për takim trepalësh, përmend mungesën e qeverive në Kosovë e Serbi
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, ka folur për mungesën e një takimi trepalësh mes Kosovës, Serbisë dhe BE-së si lehtësuese, duke përmendur bllokadën institucionale në Kosovë si arsye.
“Së pari, kam pasur shumë takime të nivelit të lartë, si me Kosovën, ashtu edhe me Serbinë. Gjithashtu, kam marrë premtimin nga të dyja palët, nga liderët e tyre, që të ulemi së bashku, ne të tre. Kemi pasur edhe përgatitje për atë takim, sepse kemi një përfaqësues të posaçëm të BE-së për dialogun Beograd–Prishtinë, i cili po punon shumë, shumë intensivisht”, tha Kallasi sot në një konferencë për media në Bruksel.
“Tani, problemi është pak a shumë i njëjtë me atë që Marta Kos [komisionerja për Zgjerim] e përmendi edhe sa i përket Kosovës. Për një vit, nuk kemi pasur vërtet një qeveri funksionale dhe institucione të konsoliduara. Kjo e ka penguar këtë marrëveshje trepalëshe — ose, më saktë, këtë takim”.
Kallasi tha se tash duhet të pritet Serbia të formojë qeverinë e re pas zgjedhjeve që e lanë Aleksandar Vuçiqin në opozitë.
“Tani, në Serbi kemi pasur zgjedhje dhe duhet të shohim që qeveria të formohet. Por mund t’ju siguroj se jam e gatshme të angazhohem dhe do të angazhohem me ta, ashtu siç kam bërë deri më tani me autoritetet, në mënyrë që ta çojmë përpara këtë proces. Sepse është e vërtetë se kjo është e nevojshme që të dyja palët të përparojnë në rrugën e integrimit evropian”.
Që kur Kallasi mori drejtimin e diplomacisë evropiane, nuk pati takim të nivelit të lartë mes Kosovës dhe Serbisë. Normalizimi i marrëdhënieve mes të dyja vendeve është kyçe si për Kosovën ashtu edhe për Serbinë që të vazhdojnë rrugën drejt anëtarësimit në BE. /express