“Kur lind djalë qitet alltia, kur je grua alltia drejtohet kah ti”, protestë kundër vrasjes së grave
Protesta mbarëkombëtare kundër vrasjes së grave dhe dhunës me bazë gjinore është duke u mbajtur në Prishtinë, ku qytetarë të shumtë janë mbledhur për të kërkuar drejtësi për Arlinda Zekajn dhe përgjegjësi institucionale për rastin e saj.
Protestuesit janë nisur nga katedralja “Nënë Tereza” dhe gjatë marshimit do të ndalen para Ministrisë së Drejtësisë, Këshillit Prokurorial të Kosovës, stacionit policor dhe ndërtesës së Qeverisë së Kosovës.
Me pankarta të ndryshme në duar, protestuesit kanë shprehur revoltën ndaj dhunës dhe vrasjes së grave, duke kërkuar siguri dhe mbrojtje për to.
Ndër pankartat e shfaqura në protestë ishte edhe mesazhi: “Kur lind djalë qitet alltia, kur je grua alltia drejtohet kah ti”.
Në pankarta të tjera shkruhej: “Patriarkati e feston djalin, e çikën as nuk e mbron”, “Siguria e grave është përgjegjësi shtetërore” dhe “Shkarkim, burgim, dorëheqje”.
Kolektivi feminist ka paraqitur edhe kërkesat e protestës, duke kërkuar shkarkimin, ndjekjen penale dhe burgimin e kryeprokurores Lumturije Vuçetaj, prokurores së rastit Suada Rama Hamza, kryetarit të gjykatës Shemsedin Haxhiaj, gjykatësit Migjen Kastrati, ushtrueses së detyrës së drejtoreshës së Qendrës për Punë Sociale, Shpresa Lukajt, togerit Faruk Muqolli dhe zyrtarëve të tjerë që mund të jenë të përfshirë në rast.
Po ashtu, protestuesit kërkojnë shkarkimin e ministres së Drejtësisë, Donika Gërvalla, dhe ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, si dhe dorëheqjen e kryetarit të Pejës, Gazmend Muhaxheri.
Ndër kërkesat e tjera janë trajtimi i vrasjes së grave si urgjencë kombëtare, sigurimi i banimit social për të mbijetuarat e dhunës në familje, vetingu apartiak dhe i pavarur i sistemit të drejtësisë, si dhe legalizimi i sprejit vetëmbrojtës për gratë.
Arlinda Zekaj u vra me sëpatë në shtëpinë e saj në Pejë. Për vrasjen dyshohet ish-kunati i saj. Para vrasjes, Zekaj kishte dërguar disa letra në institucionet e drejtësisë, përmes të cilave kishte paralajmëruar se jeta e saj ishte në rrezik.
Për këtë rast janë suspenduar disa zyrtarë, dhe ka dhënë dorëheqje drejtori i Policisë Gazmend Hoxha por protestuesit kërkojnë përgjegjësi edhe nga drejtuesit e institucioneve të drejtësisë./EO