Togu i Policisë Ushtarake të FSK-së, pjesë trajnimit ndërkombëtar në Kroaci
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ishte pjesë e trajnimit ndërkombëtar “Training Based on SOP – Standards of Interventions”, i cili u realizua në Slunj të Kroacisë.
Në këtë trajnim kanë marrë pjesë pjesëtarët e Togut për Intervenime nga Policia Ushtarake e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Sipas njoftimit, trajnimi u udhëhoq dhe u realizua nga instruktorë të Ushtrisë kroate të Njësisë Kundër Terrorizmit të Policisë Ushtarake Kroate.
“Gjatë këtij trajnimi u zhvilluan aktivitete të ndryshme praktike, me fokus në ngritjen e kapaciteteve profesionale dhe avancimin e shkathtësive në fushën e intervenimeve. Përmes këtyre aktiviteteve u mundësua avancimi i shkathtësive taktike, shkëmbimi i përvojave profesionale dhe forcimi i bashkëpunimit ndërkombëtar”, thuhet në njoftim.
Pjesëmarrja në trajnime të tilla, sipas njoftimit, dëshmon përkushtimin e FSK-së në ngritjen e vazhdueshme të profesionalizmit, gatishmërisë dhe kapaciteteve operacionale të pjesëtarëve të saj.