Kurti takohet me personalitete të Francës që kanë kontribuuar për Kosovën
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar takime me disa personalitete franceze, një ditë para nisjes zyrtare të Forumit të Paqes në Paris, kryeqytetin e Francës.
Përmes një postimi në Facebook, Kurti ka bërë të ditur se në mesin e personave me të cilët është takuar janë Alain Richard, ish-ministër i Mbrojtjes i Francës dhe mbështetës i ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999 për të ndalur krimet e luftës dhe spastrimin etnik ndaj shqiptarëve të Kosovës.
Në këtë takim kanë qenë edhe Gilles Pernet, oficer i ushtrisë dhe ish-administrator i lartë në Ministrinë e Mbrojtjes së Francës, Véronique Nahoum-Grappe, antropologe dhe studiuese e dhunës seksuale në luftëra e konflikte, si dhe Frédérique Duversin, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Paris.
Po ashtu, Kurti ka takuar edhe gazetaren Florence Hartmann, ish-korrespondente të gazetës *Le Monde* dhe ish-këshilltare e zëdhënëse e kryeprokurores së Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë në Hagë.
Sipas Kurtit, diskutimet janë përqendruar në përparimin demokratik të Kosovës, zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, investimet në siguri dhe mbrojtje, si dhe aktgjykimin e 16 shtatorit dhe angazhimin për korrigjimin e tij në procedurën e apelit.
Gjithashtu, temë e diskutimit kanë qenë edhe planet e Qeverisë për mandatin e ri qeverisës dhe roli i Francës në rrugën e Kosovës drejt integrimit euro-atlantik.
Kurti ka shprehur mirënjohje për personalitetet e takuar, duke vlerësuar kontributin dhe mbështetjen e tyre ndër vite për Kosovën dhe shtetësinë e saj.