Gara: Deri tani janë trajtuar rreth 20 lokacione për gërmime, edhe disa të tjera në agjendë
Foto: Laura Hasani

Gara: Deri tani janë trajtuar rreth 20 lokacione për gërmime, edhe disa të tjera në agjendë

Aktuale November 10, 2026 - 08:13

Rreth 20 lokacione janë trajtuar për gërmime vlerësuese gjatë vitit 2026, në kuadër të përpjekjeve për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, ndërsa në tre deri në katër lokacione të tjera pritet të zhvillohen aktivitete deri në fund të vitit.

Kështu ka bërë të ditur për Ekonomia Online udhëheqësi i Njësisë së Komisionit Qeveritar për Persona të Zhdukur, Kushtrim Gara, i cili ka thënë se aktualisht janë duke u zhvilluar gërmime në një lokacion mes Kaçanikut dhe Shtërpcës, ndërsa në agjendë janë edhe disa lokacione të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës.

“Edhe këtë vit, pra gjatë vitit 2026, pavarësisht që disa javë kemi qenë të fokusuar në lokacionet e varrezave masive në Jabukë dhe Kalludër, sigurisht ka pasur dinamikë në kuptim të angazhimit në terren. Deri më tani, siç e kam thënë, janë diku 20 lokacione të adresuara në kuptim të gërmimit vlerësues. Kemi të paktën tre-katër lokacione, të cilat do të jenë pjesë e agjendës edhe në pjesën e mbetur të vitit. Për momentin jemi në një lokacion mes zonës së Kaçanikut dhe Shtërpcës. E potencova që do të jenë me interes ose me prioritet edhe lokacionet në varrezat në veri të Mitrovicës. Pastaj do të jetë pjesë e agjendës edhe lokacioni i varrezave të qytetit të Prishtinës, pra varrezat në lagjen Arbëria. Meqë e kemi thënë edhe më parë, gjatë kohës së luftës, lokacionet e varrezave të qyteteve të mëdha, si lagjja Arbëria në Prishtinë, varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës, apo lagjja Brekoc në Gjakovë, lagjja Tusuz në Prizren, varrezat e qytetit të Pejës dhe varrezat e qyteteve të tjera, por edhe të fshatrave, janë përdorur, në qoftë se mund ta them këtë fjalë, gjatë kohës së luftës nga forcat serbe për të fshehur kufomat e viktimave të luftës, në përpjekje për të fshehur gjurmët e krimit”, tha ai.

Gara ka theksuar se lokacionet e varrezave të qyteteve të mëdha mbeten me interes, pasi gjatë luftës dyshohet se janë përdorur për fshehjen e trupave të viktimave. Sipas tij, për identifikimin e hapësirave të mundshme nevojiten informacione shtesë, veçanërisht nga arkivat e institucioneve të Serbisë.

“Rrjedhimisht, kërkimet në këto lokacione mbeten gjithmonë sfiduese. Në mungesë të informacioneve ose informatave, të cilat do të duhej të vinin nga arkivat e institucioneve të Serbisë, e në mënyrë të veçantë në lokacionet e varrezave të qyteteve, ku potencialisht mundësia për të hasur në mbetje mortore është gjithmonë e madhe, megjithatë duhet të jemi të kujdesshëm që të procedojmë saktësisht me lokacionet ose varret, ose hapësirat që mund të jenë me interes ose që ndërlidhen me procesin ose angazhimin institucional për të nxjerrë të vërtetën, përkatësisht për të zbardhur fatin dhe vendndodhjen e më shumë se 1,500 qytetarëve tanë që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur”, tha ai.

Ai ka përmendur edhe angazhimet e fundit në lokacionet e varrezave masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, ku janë pranuar raporte të ADN-së për gjashtë identifikime, ndërsa ende priten rezultate për mostrat e tjera të dërguara për testim.

“Deri tani, nga mbetjet mortore të zhvarrosura nga tri lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë, kemi pranuar raporte të ADN-së, sepse kemi gjashtë identifikime, në fakt, të konfirmuara nga ekspertët, përkatësisht antropologu mjekoligjor. Meqë raportet pranohen në vazhdimësi, megjithatë, në këtë rast, po e them, fjalën përfundimtare në kuptim të përcaktimit të identitetit gjithsesi duhet ta japë antropologu mjekoligjor. Kemi ende mostra nga mbetjet mortore që tanimë janë dërguar për testim ose për identifikim përmes analizës së ADN-së pranë laboratorit të Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur. Rrjedhimisht, i bie që ne jemi ende në pritje të këtyre raporteve të reja. Dhe, siç e thashë, pa dashur të përsëritem, në momentin që ne do t’i pranojmë këto raporte të reja të identifikimit, sigurisht pastaj këto të dhëna do t’u komunikohen edhe familjeve”, tha ai.

Ndërkaq, lidhur me tri identifikimet e bëra publike më 3 nëntor, ai ka thënë se pas pranimit të raporteve të ADN-së janë organizuar takime me familjet e viktimave, me të cilat janë diskutuar edhe hapat e procedurat e mëtejshme.

“Siç tashmë është bërë publike, së fundmi i kemi pranuar edhe tri raporte të tjera të ADN-së, të cilat, si Komision Qeveritar, normalisht i kemi ndarë me Institutin për Mjekësi Ligjore, përkatësisht me antropologun mjekoligjor, për të konfirmuar identitetin. Dhe sigurisht, bashkë me kolegët e Institutit për Mjekësi Ligjore, bashkë me kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, bashkë me kryesuesin e Komisionit dhe kolegët e Zyrës që janë angazhuar në këtë proces, pra në kuptim të komunikimit me familjet, kemi caktuar takimet me familjarët e viktimave të identifikuara. Në këtë rast bëhet fjalë për tre, po e them, veprimtarë të çështjes kombëtare, atdhetarë, emra të shquar si doktor Adem Ademi, doktor Fatmir Fazliu dhe juristi i njohur Ali Haliti. Pra, takimi me familjet është organizuar, po e them, ditën e nesërme, pra menjëherë pasi i kemi pranuar raportet e ADN-së, dhe kemi kumtuar ose kemi njoftuar për rezultatet që kemi pranuar. Në këto takime, kemi bashkëbiseduar pastaj edhe për hapat e mëtejshëm, në kuptim të caktimit të datave, por edhe të vendit të rivarrimit”, tha ai.

Gara ka folur edhe për angazhimet në lokacionet e tjera në veri të vendit, duke përmendur mbetjet mortore të një personi që janë gjetur dhe zhvarrosur gjatë një rigërmimi vlerësues në varrezat e besimtarëve myslimanë në veri të Mitrovicës.

Ai ka bërë të ditur se për identifikimin e tij priten rezultatet e analizave të ADN-së, ndërsa ky lokacion do të vazhdojë të trajtohet me prioritet nga institucionet përgjegjëse.

“Ne edhe gjatë këtyre javëve ose ditëve, pra pasi i kemi përfunduar gërmimet në ato tri varre masive, tri lokacionet e varreve masive, pra po flasim për lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë të Zubin Potokut, kemi qenë të angazhuar edhe në një lokacion tjetër në veri të vendit, përkatësisht në varrezat në veri të Mitrovicës, pra varrezat e besimtarëve myslimanë, me një gërmim vlerësues që po ashtu ka rezultuar me gjetjen dhe zhvarrosjen e mbetjeve mortore të një personi, ose një individi. Sigurisht, do të presim rezultatet e ADN-së pastaj për të konfirmuar më tutje ose për të pasur më shumë hollësi rreth mbetjeve mortore të zhvarrosura. Rrjedhimisht, i bie që si zonë, si hapësirë, do të vazhdojë të jetë pjesë e agjendës dhe do të vazhdojë të trajtohet me prioritetin e duhur, meqë ka edhe një sërë, po e them, rastesh ose lokacionesh, të cilat janë pjesë e agjendës në kuptim të shqyrtimit të të dhënave dhe informatave bashkë me kolegët e Drejtorisë së Policisë për Hetimin e Krimeve të Luftës, meqë kemi numër të konsiderueshëm të viktimave të zhdukjes me dhunë që vazhdojnë të jenë në listën e personave të zhdukur, pra për fatin dhe vendndodhjen e të cilëve ende nuk dihet”.

“Megjithatë, bazuar në të dhënat paraprake, bazuar në të dhënat që kemi pranuar nga familjet, kur fokusohemi ose ndalemi te rrethanat e zhdukjes, domethënë, gjithmonë na shpien ose na drejtojnë te kjo zonë, te këto lokacione, te kjo hapësirë. Rrjedhimisht, i bie që kjo zonë do të jetë me interes. E kemi përmendur ose potencuar edhe më parë, krahas Grupit të Intelektualëve ose 23 bashkëqytetarëve tanë nga Mitrovica, Skenderaj dhe Vushtrria, të rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill të vitit 1999, ne po ashtu në ato data, pra mes datës 18 dhe 20 prill, kemi të zhdukur edhe anëtarë të familjeve Feka dhe Isufi, të rrëmbyer dhe zhdukur pikërisht në zonat ose në fshatra, si fshati Jabukë i zonës së Zubin Potokut”, tha ai.