Mjegulla kufizon dukshmërinë në rrugët e Ferizajt, Policia apelon për kujdes
Policia rajonale e Ferizajt u ka bërë thirrje shoferëve të kenë kujdes të shtuar gjatë qarkullimit në trafik, pasi në disa pjesë të rajonit ka filluar të paraqitet mjegulla, e cila po shkakton kufizim të dukshmërisë.
Sipas Policisë, mjegulla është më e pranishme në zonat me pozitë më të ulët gjeografike, duke vështirësuar qarkullimin rrugor.
Për të parandaluar aksidentet, policia rekomandon që shoferët të përshtatin shpejtësinë me kushtet atmosferike, të përdorin dritat e shkurtra dhe ato të mjegullës, si dhe të mbajnë distancë të sigurt ndërmjet automjeteve.
Po ashtu, apelohet që të shmangen parakalimet e panevojshme dhe të tregohet kujdes i veçantë në zonat pranë lumenjve, ku mjegulla mund të jetë më e dendur.
Policia u ka bërë thirrje të gjithë pjesëmarrësve në trafik të respektojnë rregullat e komunikacionit dhe të tregojnë përgjegjësi për sigurinë e tyre dhe të të tjerëve.