Raporti: Kosova pati 171 ditë me ndotje të lartë të ajrit gjatë vitit 2025
Foto: Laura Hasani

Raporti: Kosova pati 171 ditë me ndotje të lartë të ajrit gjatë vitit 2025

Aktuale November 10, 2026 - 11:24

Avokati i Popullit ka publikuar një raport për cilësinë e ajrit në Kosovë, duke evidentuar ndotjen si një nga sfidat kryesore mjedisore dhe të shëndetit publik në vend.

Sipas raportit Ex officio nr. 251/2023, të publikuar më 10 nëntor, gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalime të vlerave kufitare ditore të grimcave të dëmshme PMw në rrjetin shtetëror të monitorimit, transmeton Zeri.info.

Duke iu referuar të dhënave të Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK), raporti thekson se përqendrimi më i madh i ndotjes është regjistruar gjatë sezonit dimëror.

Ndërkaq, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) vlerëson se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur rrit rrezikun për sëmundje respiratore dhe kardiovaskulare, veçanërisht te fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike.

Raporti trajton edhe mangësitë në zbatimin e legjislacionit mjedisor, mungesën e kapaciteteve të mjaftueshme njerëzore dhe teknike për inspektim, si dhe nevojën për monitorim më të mirë dhe koordinim ndërmjet institucioneve përgjegjëse.

Duke u mbështetur në standardet e Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit thekson se shteti ka detyrim të ndërmarrë masa parandaluese dhe efektive për mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e ndotjes, veçanërisht kur autoritetet janë në dijeni të rreziqeve që ajo paraqet për jetën dhe shëndetin.

Në këtë drejtim, institucionit i janë adresuar rekomandime Qeverisë dhe autoriteteve të tjera përgjegjëse, me kërkesë për forcimin e mekanizmave institucionalë, zbatimin e legjislacionit dhe hartimin e politikave të qëndrueshme për uljen e ndotjes së ajrit.

Avokati i Popullit vlerëson se mbrojtja nga ndotja e ajrit nuk është vetëm çështje mjedisore, por edhe detyrim për garantimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtës së qytetarëve për një mjedis të pastër dhe të shëndetshëm. /Zëri