Seanca e Kuvendit vazhdon sot, në rend dite votimi i Ligjit për Specialen
Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës do të vazhdojë sot nga ora 11:00, ku në rend dite është edhe votimi i Ligjit për Specialen.
Seanca u ndërpre dje, pasi deputetët nuk u kthyen në sallë edhe gjysmë ore pas kohës kur ishte planifikuar të rifillonte, në orën 14:00.
Për këtë arsye, kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e shtyu seancën, duke i kritikuar deputetët.
“Kuvendi i vazhdon punimet të premten në orën 11:00. Nuk është serioze, gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Nuk kam mundësi me funksionu dhe me prit deri në pafundësi”, ka thënë Haxhiu.
Pikë e rendit të ditës së kësaj seance u shtua edhe kërkesa e PDK-së për shqyrtimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Në anën tjetër, Ligji për Specialen ka hasur në kritika nga akterë të huaj.
Britania e Madhe ka shprehur shqetësim për synimin e Kuvendit të Kosovës që të votojë sërish ndryshimet dhe plotësimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar se një veprim i tillë mund të dëmtojë marrëdhëniet me partnerët ndërkombëtarë.
Në reagimin e Ambasadës Britanike në Prishtinë thuhet se amendamentet e propozuara nuk do t’u shërbenin interesave thelbësore të Kosovës.
Ambasada Gjermane në Kosovë ka reaguar lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ndryshimeve në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke shpërndarë në rrjetet sociale reagimin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.
“Ambasada Gjermane pajtohet plotësisht me shqetësimet e Zyrës së BE-së në Kosovë lidhur me votimin e mundshëm në Kuvendin e Kosovës të ligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara”, thuhet në reagimin e ambasadës.
Ndërkohë, Zyra e BE-së në Kosovë ka shprehur shqetësim lidhur me votimin e mundshëm në Kuvend të këtyre ndryshimeve ligjore.
Sipas Zyrës së BE-së, ndryshimet ngrenë shqetësime serioze lidhur me obligimet ndërkombëtare të Kosovës dhe respektimin e parimeve themelore të sundimit të ligjit, veçanërisht pavarësinë e gjyqësorit, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, të drejtat procedurale dhe llogaridhënien efektive.
Zyra e BE-së ka theksuar se ndryshimet ngrenë shqetësime edhe për kushtetutshmërinë e tyre, duke kërkuar konsultime paraprake përpara çdo miratimi të ligjit, në përputhje me obligimet ndërkombëtare të Kosovës.