Paralajmërohen erëra të forta të enjten në Prishtinë, qytetarëve u bëhet thirrje për kujdes
Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca e Kryeqytetit u ka bërë thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar të enjten, më 19 nëntor, për shkak të erërave të forta që pritet të përfshijnë vendin.
Sipas Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës (IHMK), era pritet të fillojë të forcohet që sonte, ndërsa të enjten, nga mesdita deri në orët e mbrëmjes, parashihet të fryjë nga jugu dhe jugperëndimi me shpejtësi prej 30 deri në 45 kilometra në orë. Herë pas here shpërthimet e erës mund të arrijnë shpejtësi edhe më të larta.
Gjatë kësaj periudhe priten edhe reshje të lehta shiu me ndërprerje, ndërsa të premten, më 20 nëntor, era pritet të dobësohet gradualisht gjatë ditës.
Përmes një njoftimi, Drejtoria për Siguri dhe Emergjenca ka rekomanduar që qytetarët të sigurojnë vazot, mobiliet e lehta dhe sendet e tjera në ballkone, tarraca e oborre.
Po ashtu, gjatë forcimit të erës, qytetarëve u është bërë thirrje të shmangin qëndrimin pranë pemëve të mëdha, skelave dhe tabelave reklamuese.
Operatorëve të kantiereve dhe subjekteve që administrojnë tabela reklamuese u është kërkuar të kontrollojnë fiksimin e skelave, rrethojave dhe tabelave, ndërsa drejtuesit e automjeteve këshillohen të përshtatin shpejtësinë dhe të kenë kujdes të shtuar në rrugët e ekspozuara ndaj erës.
Për raportimin e rasteve emergjente, qytetarët mund të kontaktojnë Qendrën Operative Emergjente të Kryeqytetit, e cila është në shërbim 24 orë në ditë, në numrat pa pagesë 0800 122 33 dhe 0800 122 44. /Zëri