Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit: Jemi të gatshëm për sezonin dimëror
Ministria e Infrastrukturës dhe Transportit ka njoftuar se gjatë javës së kaluar kanë mbajtur një takim koordinues me Policinë e Kosovës dhe operatorët ekonomikë përgjegjës për mirëmbajtjen e rrugëve, në kuadër të përgatitjeve për sezonin dimëror.
Sipas tyre, në këtë takim u diskutua për gatishmërinë e ekipeve në terren, gjendjen e makinerive për pastrimin e borës dhe sigurimin e sasive të nevojshme të kripës për trajtimin e ngricave.
“Rrugët i mirëmbajmë gjatë gjithë vitit, duke i përshtatur ndërhyrjet me kushtet e secilit sezon. Kujdesi i drejtuesve të automjeteve ndihmon në parandalimin e aksidenteve, sidomos kur ka borë e ngrica”, thuhet në njoftim.
Kjo ministri ua rikujton të gjithë drejtuesve të automjeteve se pajisjet dimërore janë të detyrueshme nga 15 nëntori deri më 15 mars.
“Para nisjes, kontrolloni gjendjen e gomave dhe gjatë udhëtimit përshtateni shpejtësinë me kushtet e rrugës”, thuhet ndër tjera. /Zëri