Kuvendi ndryshon rendin e ditës, futen pesë pika të reja në seancën e sotme
Kuvendi i Kosovës ka votuar ndryshimin e rendit të ditës për seancën e sotme, duke përfshirë pesë pika të reja.
Ndryshimi është bërë me propozim të Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje.
Në mesin e pikave të reja janë tri marrëveshje ndërkombëtare, si dhe Projektligji për vendosjen e masave për ndalimin e importit të energjisë elektrike nga Serbia.
Ndërkaq, nuk ka kaluar propozimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) për heqjen nga rendi i ditës të pikës që ka të bëjë me shkarkimin e katër anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës.
12:36 - Mospajtime rreth ndryshimit të rendit të ditës, konsultohen grupet parlamentare

Kuvendi i Kosovës ka nisur seancën e re plenare, por mosmarrëveshjet rreth rendit të ditës kanë bërë që kjo seancë të mos vazhdojë ende.
Shefja e GP të LVV-së, Arberie Nagavci, në fillim të seancës ka propozuar që rendi i ditës të ndryshojë me disa pika të tjera, transmeton Zeri.info.
Kjo fillimisht nuk është votuar nga deputetët, ndërsa pas konsultimit mes grupeve parlamentare, ndryshimet e pikave të rendit të ditës janë duke u votuar një nga një. /Zëri
