Kush është shqiptari që shërben si përfaqësues fetar në Policinë e New Yorkut? - Nderohet me mirënjohje
Imam Tahir Kukaj, shqiptari nga Kosova që shërben si përfaqësues fetar mysliman në Departamentin e Policisë së New Yorkut (NYPD), është nderuar me një çmim mirënjohjeje për vitin 2026, në një ceremoni të mbajtur më 19 nëntor në New York.
Mirënjohja i është ndarë nga Departamenti i Policisë së New Yorkut (NYPD) dhe Shoqata Vëllazërore e Zbatimit të Ligjit Arabo-Amerikan (AALFA), në shenjë vlerësimi për përkushtimin e tij ndaj kësaj shoqate dhe shërbimin e vazhdueshëm ndaj komunitetit.

Në pllakën e mirënjohjes, e cila mban emrin e tij, vlerësohen kontributet, përkushtimi dhe besueshmëria e Kukajt, si dhe gatishmëria e tij për të mbështetur dhe udhëhequr komunitetin.
Në dokument figuron edhe emri i Hassan Diab, president i AALFA-s, i cili ka prezantuar mirënjohjen.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë Kukaj përmes një postimi në rrjetet sociale, ku ka shprehur mirënjohjen për presidentin Diab dhe gjithë komunitetin për bashkëpunimin, unitetin dhe shërbimin e vazhdueshëm.
“Jam mirënjohës për këtë çmim mirënjohjeje për vitin 2026, të ndarë nga NYPD dhe Shoqata Vëllazërore e Zbatimit të Ligjit Arabo-Amerikan (AALFA)”, ka shkruar Kukaj.
Tahir Kukaj shërben si imam në Qendrën Kulturore Islame Shqiptare në Staten Island, New York, ndërsa në Policinë e New Yorkut ushtron detyrën e kapelanit mysliman, rol që nënkupton ofrimin e mbështetjes fetare dhe shpirtërore për pjesëtarët e policisë.