Kundër Vuçiqit, por jo kundër nacionalizmit serb – Despot paralajmëron për vazhdimësinë e “botës serbe” dhe mendësisë së Millosheviqit

Kundër Vuçiqit, por jo kundër nacionalizmit serb – Despot paralajmëron për vazhdimësinë e “botës serbe” dhe mendësisë së Millosheviqit

Aktuale November 23, 2026 - 19:12

Publicisti kroat, Zvonimir Despot, ka kritikuar studentët serbë që po protestojnë kundër presidentit Aleksandar Vuçiq, duke i akuzuar se, pavarësisht kundërshtimit ndaj regjimit të tij, vazhdojnë të mbajnë qëndrime të ndikuara nga nacionalizmi serb dhe trashëgimia politike e Sllobodan Millosheviqit.

Në një reagim të publikuar në rrjetin social X, Despot është ndalur te kundërshtimi i studentëve serbë ndaj rezolutës së Parlamentit Evropian për 35-vjetorin e shkatërrimit dhe rënies së Vukovarit, duke theksuar se ata kanë shprehur pakënaqësi për faktin se në këtë dokument nuk përmenden mjaftueshëm viktimat serbe dhe operacionet ushtarake kroate “Bljesak” dhe “Oluja”.

Sipas Despotit, ky qëndrim nxjerr në pah se protestat kundër Vuçiqit nuk nënkuptojnë domosdoshmërisht shkëputje nga nacionalizmi dhe politikat që kanë karakterizuar Serbinë gjatë viteve ’90.

“Evropa dëshiron t’i bëjë homazh një qyteti që në vitin 1991 u shkatërrua nga Ushtria Popullore Jugosllave (JNA) dhe formacionet paramilitare serbe, të kujtojë Ovçarën, të vrarët, të zhdukurit dhe kampet, ndërsa studentëve serbë u pengon fakti që nuk flitet për operacionet çlirimtare kroate të vitit 1995”, ka shkruar Despot.

Ai ka vënë në pikëpyetje lidhjen që studentët bëjnë mes rënies së Vukovarit më 1991 dhe operacioneve “Bljesak” dhe “Oluja” të vitit 1995, duke argumentuar se këto ngjarje nuk mund të përdoren për të relativizuar përgjegjësinë për agresionin ndaj Kroacisë.

Despot ka theksuar se në reagimin e studentëve, sipas tij, mungon një dënim i qartë i agresionit ndaj Kroacisë, si dhe pranimi i përgjegjësisë së JNA-së dhe Beogradit, ndërsa vëmendja përqendrohet te viktimat serbe dhe pretendimet për fajësi kolektive ndaj popullit serb.

“Pranimi i të gjitha viktimave nuk nënkupton barazimin e agresorit me të sulmuarin. Nuk do të thotë se Vukovari i vitit 1991 duhet të arsyetohet me ‘Olujën’ e vitit 1995”, ka shkruar ai.

Në reagimin e tij, Despot është ndalur edhe te koncepti i të ashtuquajturës “botë serbe” (Srpski svet), duke argumentuar se kjo ide politike nuk ka lindur me Vuçiqin dhe nuk do të zhduket domosdoshmërisht me largimin e tij nga pushteti.

Sipas tij, bëhet fjalë për një vazhdimësi të ideologjisë së Serbisë së Madhe, e cila ndër vite ka ndryshuar emërtimet, udhëheqësit dhe metodat, por ka ruajtur pretendimin se Serbia ka të drejtë të ndikojë në fatin e serbëve që jetojnë jashtë kufijve të saj.

Despot vlerëson se një pjesë e miteve historike të periudhës së Millosheviqit vazhdojnë të jenë të pranishme edhe në diskursin e sotëm politik serb, veçanërisht ideja se serbët kanë qenë kryesisht viktima të shpërbërjes së Jugosllavisë, ndërsa përgjegjësia për luftërat vazhdimisht relativizohet.

Ai ka theksuar se është e mundur të kundërshtohet korrupsioni, autoritarizmi dhe kufizimi i lirisë së mediave nga ana e Vuçiqit, por njëkohësisht të vazhdohen të njëjtat qëndrime për luftërat e viteve ’90.

“Ju mund të jeni kundër korrupsionit të Vuçiqit, autoritarizmit dhe mbytjes së lirive mediatike, por njëkohësisht të ndani pikëpamjen e tij për luftërat e viteve ’90. Mund të kërkoni demokraci në Serbi, pa qenë të gatshëm të pranoni atë që Serbia u ka bërë fqinjëve të saj. Mund ta rrëzoni Vuçiqin, por Millosheviqin ende ta mbani në kokë”, ka shkruar Despot.

Në fund, publicisti kroat ka paralajmëruar se Kroacia nuk duhet të nxitojë të përshëndesë lindjen e një Serbie të re vetëm për shkak të protestave kundër presidentit aktual.

Sipas tij, pjekuria demokratike e Serbisë nuk duhet të matet vetëm me qëndrimin ndaj Vuçiqit, por edhe me raportin ndaj Vukovarit, pavarësisë së Kroacisë dhe përgjegjësisë për agresionin.

“Serbisë nuk i duhet vetëm ndryshimi i pushtetit. I duhet ndryshimi i vetëdijes politike. Vuçiqi mund të bjerë, Millosheviqi ka vdekur prej kohësh, por ‘bota serbe’ duket se mund t’i mbijetojë të dyve”, ka përfunduar Despot.

Në këtë kontekst, qëndrimet e studentëve serbë kanë rëndësi edhe për Kosovën, veçanërisht për shkak të vazhdimësisë së konceptit të “botës serbe”, të cilin Despot e sheh si një projekt politik që nuk lidhet vetëm me Aleksandar Vuçiqin, por ka rrënjë në ideologjinë nacionaliste të viteve ’90.

Kjo ngre pikëpyetje edhe për të ardhmen e politikës së Beogradit ndaj Kosovës, pasi largimi i Vuçiqit nga pushteti nuk do të garantonte vetvetiu braktisjen e politikave dhe ambicieve të lidhura me konceptin e “botës serbe”./telegrafi/