Elon Musk prezanton makinën e re që mund të fluturojë
Të enjten në mbrëmje miliarderi i teknologjisë Elon Musk u dha fansave të Tesla-s një mundësi për të parë nga afër projektin më të fundit – dhe ndoshta më ambiciozin – të prodhuesit të automjeteve elektrike: Tesla Roadster-in e shumëpritur.
"Na duhet një audiencë për të vërtetuar se nuk bëhet fjalë për inteligjencë artificiale (AI) apo simulim", u tha Musk të pranishmëve në ngjarjen që transmetohej drejtpërdrejt.
"Kështu që, ju mund t'u tregoni të tjerëve se e keni parë me sytë tuaj. Sepse atë që do të shihni me sytë tuaj, nuk do ta besoni".
Do a kickflip! https://t.co/DJ1Bq1yu8m
— Tesla (@Tesla) October 16, 2026
Sipas vëzhguesve, Roadster demonstroi disa manovra të pazakonta, përfshirë drejtimin përmbys, kërcimin mbi pesë makina Tesla të rreshtuara krah për krah dhe kryerjen e një rrotullimi në ajër duke përdorur motorët shtytës të SpaceX.
"Epo, funksionoi", tha Musk.
Musk theksoi se Roadster-i është i pajisur me "motorë të vegjël për kontrollin e pozicionit dhe motorë kryesorë në pjesën e pasme, çka i lejon praktikisht të fluturojë si një raketë".
Holy smokes https://t.co/rTnRobllwc
— Tesla (@Tesla) October 16, 2026
"Mund të bëjë rrotullime, lëvizje akrobatike të çmendura", tha ai, duke bërë shaka se kjo "nuk është domosdoshmërisht një makinë e optimizuar për siguri".
Një demonstrim i dytë e vuri në provë këtë pretendim: makina u afrua pranë një rreshti me automjete të tjera Tesla, u ngrit në ajër dhe kreu një lëvizje akrobatike ("kickflip") mbi to.
Një tjetër demonstrim tregoi se si Roadster-i përshpejton nga 0 në 60 milje në orë (rreth 100 km/h) në më pak se një sekondë.
Sipas faqes së internetit të Tesla-s, kompania ka hapur tashmë rezervimet për këtë makinë, e cila ofrohet në tri variante: Performance, Thrust dhe Rocket.
Sipas Tesla-s, Roadster-i ka një autonomi prej më shumë se 300 miljesh (rreth 480 km) dhe një shpejtësi maksimale që kalon 230 milje në orë (rreth 370 km/h) në versionin Rocket. /Telegrafi