A ka ende shpresë për industrinë gjermane të automobilave?
Mercedes-Benz njoftoi javën e kaluar se do të ndalojë investime të reja në fabrikat e tij në Gjermani. Kjo forcon zërat, se ditët më të mira të prodhimit gjerman të automobilave tashmë i përkasin së kaluarës.
Në një intervistë me shkrim për punonjësit, drejtori i prodhimit Michael Schiebe theksoi se kostot operative në fabrikat gjermane janë tepër të larta. Sipas tij, prodhuesi i automjeteve është "i detyruar tani të shqyrtojë me kujdes se cilat njësi prodhimi në Gjermani do të duhej të mbylleshin, nëse nuk arrihet të ndryshohet struktura e kostove".
Ky vendim erdhi vetëm një ditë pasi Volkswagen, prodhuesi më i madh i automobilave në Evropë, njoftoi se do të ngrijë planet për modernizimin e fabrikës së tij gjigante në Wolfsburg.
Industria gjermane e automobilave përballë ristrukturimit
Sektori gjerman i automobilave po kalon një krizë të thellë, jo thjesht për shkak të konkurrencës së fortë nga prodhuesit kinezë. Vetëm Volkswagen planifikon të shkurtojë 100.000 vende pune në mbarë botën deri në vitin 2030. Përveç kësaj, katër fabrika të koncernit në Gjermani mund të përballen me mbylljen. Disa analistë të industrisë dyshojnë se kjo shënon fillimin e fundit të prodhimit të automobilave në Gjermani.
"Duhet ta pranojmë se një e treta e kapaciteteve tona prodhuese (në fabrikat gjermane, shën. red.) janë kapacitete të tepërta që duhet të reduktohen”, tha për DW Thomas Puls, ekonomist kryesor për transportin dhe infrastrukturën në Institutin Ekonomik Gjerman (IW Köln). "Ky proces do të jetë shumë i dhimbshëm”.
Një raport i publikuar muajin e kaluar nga kompania këshilluese me seli në Mynih, Roland Berger, arrin në përfundimin se industria vendase e automobilave ka nevojë urgjente për një "rifillim të ri”. Megjithatë, raporti parashikon gjithashtu se Gjermania mund të jetë në gjendje të ruajë "një bërthamë të qëndrueshme dhe fitimprurëse të zinxhirit të vlerës në industrinë automobilistike”. Me fjalë të tjera: prodhimi i automobilave në Gjermani mund të tkurret, por ajo që do të mbetet mund të jetë më e vogël, më e specializuar dhe më fitimprurëse.
Përplasje me sindikatat
Ajo që shpesh anashkalohet është se vendimi i Mercedesit për të ndalur investimet lidhet edhe me negociatat e ashpra me sindikatat për uljen e kostove të punës në fabrikat gjermane. Pjesë e diskutimeve është edhe heqja e javës së punës prej 35 orësh. Nëse palët arrijnë një marrëveshje, pezullimi i investimeve mund të tërhiqet sërish.
Megjithatë, për Achim Kampker, profesor i prodhimit të automjeteve elektrike në Universitetin RWTH Aachen, shkurtimi i investimeve është më shumë sesa një taktikë negociuese. Ai krahason strategjinë industriale të Kinës, që reagon me shpejtësi ndaj ndryshimeve, me atë gjermane, të cilën e cilëson si shumë të ngadaltë. Sipas tij, burokracia e tepërt dhe strukturat e ndërlikuara të kompanive pengojnë krijimin e vlerës së shtuar. "Duhet të bëhemi më të shpejtë, më inovativë dhe dukshëm më produktivë”, tha Kampker për DW-në.
Sipas kompanisë konsulente Roland Berger, prodhuesit kinezë të automjeteve elektrike mund të nxjerrin në treg një model të ri brenda rreth 20 muajsh, ndërsa në Gjermani ky proces zgjat nga 48 deri në 60 muaj. Përveç kësaj, kompanitë kineze gëzojnë një avantazh kostosh prej rreth 30 për qind.
Një nga arsyet kryesore janë kostot dukshëm më të larta të prodhimit në fabrikat gjermane. Ato variojnë nga 3.500 deri në 5.000 euro për automjet, ndërsa në Evropën Lindore kostoja është mes 2.000 dhe 2.500 euro për automjet.
"Siguri e rreme"
Një raport i kompanisë konsulente PwC, i publikuar në shtator, thekson se prodhuesit gjermanë të automobilave janë të menaxhuar mirë dhe kanë baza të forta financiare. Sipas raportit, kompanitë e dinë shumë mirë se cilat sfida i presin, por mund të ndihen të mbrojtura nga një "siguri e rreme”.
PwC vlerëson se Gjermania duhet të përqendrohet në katër fusha kyçe për ta bërë industrinë e saj automobilistike të aftë për të përballuar sfidat e së ardhmes dhe për të konkurruar me Kinën. Këto përfshijnë: ndarjen e biznesit të motorëve me djegie të brendshme nga ai i automjeteve elektrike; investimin e fitimeve të larta nga biznesi tradicional i motorëve me djegie në teknologji të reja; transformimin e kulturës së punës; dhe shfrytëzimin maksimal të partneriteteve ekzistuese me prodhuesit kinezë të automjeteve dhe kompanitë amerikane të teknologjisë.
"E ardhmja e industrisë gjermane të automobilave do të varet në masë të madhe nga vendimet që do të merren në 12 deri në 18 muajt e ardhshëm”, shkruan Harald Wimmer, drejtues i sektorit të automobilave në PwC Gjermani.
Me kalimin drejt automjeteve elektrike, disa ekspertë parashikojnë se industria e automobilave do të bëhet pjesë e një sektori shumë më të gjerë global të elektronikës, një zhvillim që Gjermania duhet ta shfrytëzojë në favorin e saj.
Harald Wimmer thekson se prodhuesit kryesorë kinezë të automjeteve tashmë e matin veten jo vetëm me rivalët e industrisë automobilistike, por edhe me gjigantët e elektronikës "entertainment". Një shembull është prodhuesi i telefonave inteligjentë Xiaomi, i cili ndërkohë prodhon rreth 400.000 automjete elektrike në vit. "Kush vazhdon ta kufizojë fushën e konkurrencës vetëm te industria e vet, bën një gabim që, sapo të bëhet i dukshëm, nuk mund të korrigjohet më”, paralajmëron ai.
Prodhimi mbetet gjithsesi i qëndrueshëm
Pavarësisht parashikimeve pesimiste, industria e automobilave në Gjermani po reziston relativisht mirë. Prodhimi vendas mbetet rreth 12 për qind nën nivelin e para pandemisë, por sipas Shoqatës Gjermane të Industrisë së Automobilave (VDA), sektori është në rrugën e duhur për të arritur këtë vit shifrën prej 4,11 milionë automjetesh, të parashikuar në dhjetor. Kjo është vetëm një për qind më pak se një vit më parë.Thomas Puls nga Instituti Ekonomik Gjerman (IW Köln) thekson se prodhuesit gjermanë duhet të shmangin një kurth në të cilin ra Italia në fillim të viteve 2000, kur gjiganti kombëtar i industrisë automobilistike, Fiat, po përballej me probleme rentabiliteti. "Në Itali, politika dhe sindikatat bllokuan çdo përpjekje të Fiat-it për të reduktuar kapacitetet e tepërta prodhuese”, shpjegon Puls për DW-në.
Gjermanisë nuk i mungojnë as ekspertiza dhe as ambicia. Problemi qëndron më tepër te fakti se reformat në sektorët e mëdhenj industrialë shpesh frenohen nga një qasje tepër e kujdesshme dhe nga pengesat burokratike.
Ndërsa gjigantët gjermanë të automobilave po përpiqen të zbatojnë masa të dhimbshme kursimi dhe ristrukturimi, Achim Kampker nga RWTH Aachen paralajmëron se, nëse kompanitë nuk i korrigjojnë dobësitë e tyre, "do të shohim mbyllje të tjera fabrikash, si edhe një largim të ndjeshëm të investimeve industriale dhe vendeve të punës nga Gjermania”.
Përfundimi i tij është i qartë: "Ende ekziston mundësia për ta përmbysur këtë prirje, por dritarja e mundësisë po ngushtohet me shpejtësi”. /DW