Janjiqi thirrje hetuesve evropianë: Hetojini marrëdhëniet e Vuçiqit me Orbanin

Janjiqi thirrje hetuesve evropianë: Hetojini marrëdhëniet e Vuçiqit me Orbanin

Bota April 17, 2026 - 11:07

Eksperti nga Forumi i Beogradit për Marrëdhënie Etnike, Dushan Janjiq, ka ngritur dyshime serioze mbi lidhjet politike dhe ekonomike mes Aleksandar Vuçiqit dhe Viktor Orbanit, duke kërkuar një hetim të thelluar në nivel evropian.

Sipas tij, është plotësisht legjitime që një hetues evropian të shqyrtojë jo vetëm marrëdhëniet e Vuçiqit, por edhe ato të familjes së tij me ish-kryeministrin hungarez.

Janjiqi vë në pah se një fokus i veçantë duhet t’i kushtohet projektit të hekurudhës Beograd–Budapest, të cilin e cilëson si një nyje të rëndësishme të këtyre lidhjeve.

“Ky është një moment vërtet i rëndësishëm”, thekson ai, duke sugjeruar se zhvillimet aktuale mund të hapin rrugën për zbardhjen e marrëdhënieve të ndërlikuara politike dhe ekonomike në rajon, raporton Antena, përcjell Dukagjini.

Në të njëjtën linjë kritike, Janjiqi komentoi edhe situatën rreth kompanisë Naftna Industrija Srbije (NIS), duke pretenduar se zgjidhja e saj po diktohet nga Moska. Ai nënvizon se, ndonëse formalisht nuk po flitet për shitje, ka indikacione se Hungaria tashmë mund të ketë hequr dorë nga interesat e saj, ndërsa mbetet për t’u parë nëse një gjë e tillë do të ndodhë edhe me Kroacinë.

Sipas Janjiqit, çështja e NIS-it përfaqëson “fundin e një historie”, ndërsa afrimiteti politik mes Orbanit dhe Vuçiqit, sipas tij, ka rrënjë ideologjike që datojnë që nga viti 2014.