Trumpi nuk sheh “dallime të mëdha” me Iranin, Qalibaf e akuzon për “gënjeshtra”
Menjëherë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, tha se nuk ka “dallime të mëdha” mes Uashingtonit dhe Teheranit, kryetari i parlamentit iranian, Mohammad Baqer Qalibaf, e akuzoi atë për shpërndarje të “gënjeshtrave”.
Gjatë fjalimit të tij, Trump gjithashtu kishte thënë se bisedimet do të vazhdojnë gjatë fundjavës.
“Një ditë e madhe [sot]. Do të shohim si do të përfundojë e gjitha, por duhet të jetë mirë, disa diskutime shumë të mira”, u tha Trump gazetarëve në Phoenix, Arizona, më 17 prill.
“Bisedimet po vazhdojnë dhe do të vazhdojnë gjatë fundjavës, dhe shumë gjëra të mira po ndodhin. Kjo përfshin edhe Libanin”, shtoi ai.
Ai nuk specifikoi një afat kohor për bisedimet dhe se ku apo kur ekipet negociuese mund të takoheshin personalisht.
Ndërmjetësi kryesor pakistanez, shefi i ushtrisë, Asim Munir, ka përfunduar tre ditë bisedime në Teheran, tha ushtria pakistaneze më 18 prill
CNN, duke cituar burime iraniane, raportoi se delegacionet do të mbërrinin në Islamabad gjatë fundjavës dhe se bisedimet zyrtare do të rifillonin më 20 prill. Shtëpia e Bardhë nuk komentoi mbi atë raport.
Më 11-12 prill, nënpresidenti amerikan JD Vance udhëhoqi një delegacion në bisedime me zyrtarë të lartë iranianë në Islamabad. Ato bisedime u ndërprenë pa marrëveshje dhe me të dyja palët që fajësuan njëra-tjetrën për dështimin.
Në komentet e tij të 17 prillit, Trump hodhi poshtë sugjerimin se mosmarrëveshje të mëdha mbeten në negociata.
“Nuk mendoj se ka shumë dallime të mëdha”, tha ai. “Nëse ka, unë do ta rregulloj”.
Sa i përket kohës sa do të ishte i gatshëm të mbante një bllokadë të porteve iraniane të lidhura me bisedimet, Trump tha se ajo do të hiqej menjëherë sapo të arrihej një marrëveshje.
“Kur marrëveshja të nënshkruhet, bllokada përfundon”, tha ai.
Ndërkohë, një grup anijesh po lëvizte përmes Ngushticës së Hormuzit më 18 prill, sipas të dhënave nga shërbimi i gjurmimit të transportit detar Marine Traffic.
Të dhënat treguan se kishte transportues gazi të lëngshëm të naftës (LPG) dhe disa cisterna për produkte nafte dhe kimikate që lëviznin nëpër ujërat iraniane në jug të ishullit Larak.
Bllokada amerikane synon anijet “që hyjnë ose dalin nga portet dhe zonat bregdetare iraniane”.
Axios citoi Trump të ketë thënë: “Mendoj se do të arrijmë një marrëveshje brenda një ose dy ditësh”.
Megjithatë, Trump u tha gazetarëve vonë më 17 prill se ai mund të mos e zgjasë armëpushimin pas skadimit më 22 prill.
“Ndoshta nuk do ta zgjas, por bllokada do të mbetet”, tha ai.
Statusi i Ngushticës
Një çështje e debatueshme — statusi i Ngushticës së Hormuzit — duket se po afrohet drejt një zgjidhjeje të mundshme, megjithëse disa mosmarrëveshje mbeten mes shenjave për një përçarje të mundshme në udhëheqjen iraniane.
Më 17 prill, ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi tha se Teherani e kishte hapur ngushticën për trafikun tregtar për pjesën e mbetur të armëpushimit 10-ditor mes Izraelit dhe Libanit.
“Irani është pajtuar që të mos e mbyllë më kurrë Ngushticën e Hormuzit. Ajo nuk do të përdoret më si armë kundër Botës!”, shkroi Trump në një postim në rrjetet sociale.
Megjithatë, Qalibaf më vonë tha se Irani do ta mbyllte sërish ngushticën nëse bllokada amerikane ndaj porteve të tij nuk hiqej.
“Presidenti i Shteteve të Bashkuara bëri shtatë pretendime brenda një ore, të shtatat ishin të rreme”, shkroi ai në rrjetet sociale. “Ata nuk e fituan luftën me këto gënjeshtra dhe sigurisht që nuk do të arrijnë asgjë në negociata”.
Qalibaf ka udhëhequr delegacionin iranian në negociatat me Uashingtonin dhe nga shumëkush shihet si fuqia reale pas regjimit iranian.
Ngushtica, e cila çon në Gjirin Persik dhe që përbënte rrugën për 20 për qind të dërgesave globale të naftës dhe gazit natyror të lëngshëm para nisjes së luftës, kishte qenë efektivisht e mbyllur për trafikun që nga sulmet ajrore të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit më 28 shkurt.
Ky veprim çoi në rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës dhe tronditi ekonominë globale. Por çmimet e naftës ranë ndjeshëm dhe çmimet e aksioneve u rritën në tregjet botërore më 17 prill pas njoftimit për rihapjen.
Fati i uraniumit të pasuruar
Presidenti amerikan më 17 prill përsëriti sugjerimin e tij se Teherani ka rënë dakord të heqë dorë nga rezervat e tij të uraniumit të pasuruar — i cili, në nivele të caktuara pasurimi, mund të përdoret në armë bërthamore.
Disa paqartësi mbetën mbi atë se për çfarë materiali saktësisht po fliste Trump. Teherani mohoi se kishte rënë dakord të hiqte dorë nga furnizimi i tij, duke thënë: “Uraniumi i pasuruar i Iranit nuk do të transferohet askund”.
“Transferimi i uraniumit të pasuruar të Iranit në SHBA nuk është ngritur kurrë në negociata”, tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baqaei.
Reuters citoi Trump të ketë folur për “pluhur bërthamor” dhe tha se ai do të merrej “shumë shpejt”.
Raporti shtoi se përmendja e “pluhurit bërthamor” nga Trump ishte një referencë ndaj asaj që ai beson se ka mbetur pasi SHBA-ja dhe Izraeli bombarduan instalimet bërthamore të Iranit në qershor 2025, megjithëse Trump herë pas here i është referuar uraniumit të pasuruar si “pluhur bërthamor”.
Më vonë, në Phoenix, Trump gjithashtu iu referua “pluhurit bërthamor”.
“Dikush tha, si do ta marrim pluhurin bërthamor? Do ta marrim duke hyrë në Iran, me shumë ekskavatorë”, tha Trump. “Por do të hyjmë bashkë me Iranin. Do ta marrim. Do ta sjellim në SHBA shumë shpejt”.
Ai shtoi se nuk do të ketë shkëmbim parash në një marrëveshje me Iranin. Disa raportime mediatike kishin sugjeruar se SHBA-ja do të lironte asetet e ngrira iraniane në këmbim të të drejtës për të marrë kontrollin e uraniumit të pasuruar të Teheranit. /REL