Pas tërmetit 7.5 ballësh, paralajmërohet cunami në Japoni

Pas tërmetit 7.5 ballësh, paralajmërohet cunami në Japoni

Bota April 20, 2026 - 14:37

Agjencia Meteorologjike e Japonisë ka konfirmuar se një tërmet me magnitudë 7.5 ka goditur brigjet e Sanrikut.

Tërmeti ka ndodhur në orën 16:52 sipas kohës lokale (08:52 BST) dhe ka pasur një thellësi prej 10 kilometrash.

Autoritetet japoneze kanë lëshuar paralajmërime dhe njoftime për cunami në pjesë të ndryshme të bregdetit verilindor të vendit, duke u bërë thirrje qytetarëve të marrin masa të menjëhershme sigurie, raporton BBC.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, ekzistojnë tri nivele paralajmërimi për cunami. Paralajmërimi më i lartë, “Major Tsunami Warning”, lëshohet kur priten valë të mëdha nga 5 deri në 10 metra. Niveli i dytë, “Tsunami Warning”, jepet për valë nga 1 deri në 3 metra, ndërsa niveli më i ulët, “Tsunami Advisory”, përfshin valë më të vogla se 1 metër.

Autoritetet u bëjnë thirrje banorëve në zonat e prekura që të evakuohen menjëherë nga bregdeti dhe zonat pranë lumenjve dhe të zhvendosen në vende më të larta ose në objekte të sigurta. Edhe në rast të paralajmërimeve më të ulëta, qytetarëve u kërkohet të largohen nga deti dhe zonat bregdetare për arsye sigurie.

Autoritetet në Japoni kanë paralajmëruar se pas tërmetit të fuqishëm prej 7.5 ballësh, mund të ndodhin goditje të tjera me magnitudë të ngjashme gjatë javës së ardhshme.

Agjencia Meteorologjike e Japonisë bëri të ditur se paralajmërime të tilla janë procedurë standarde pas një tërmeti të madh, ndërsa qytetarët janë këshilluar të jenë vigjilentë për rrëshqitje dheu dhe lëkundje të tjera të mundshme. Po ashtu, ekziston rreziku që edhe pas valës së parë të cunamit të godasin valë më të mëdha. /rtk