Trumpi njofton Kongresin se armiqësitë me Iranin kanë “përfunduar”
Presidenti Donald Trump i ka thënë Kongresit se armiqësitë e SHBA-së me Iranin janë “përfunduar” për shkak të një armëpushimi që është në zhvillim, ndërsa ai ka argumentuar se nuk ka nevojë për miratimin e ligjvënësve për konfliktin.
Kjo ndodhi në ditën e 60-të që nga njoftimi i tij zyrtar për Kongresin lidhur me sulmet ndaj Iranit.
Ligji amerikan kërkon që ai të “përfundojë çdo përdorim të Forcave të Armatosura të Shteteve të Bashkuara” brenda 60 ditëve nga një njoftim i tillë – përveç nëse Kongresi e lejon vazhdimin.
Pavarësisht armëpushimit, SHBA-ja dhe Irani ende nuk kanë arritur një marrëveshje afatgjatë përmes negociatave, ndonëse mediat iraniane raportuan se Teherani i ka dërguar një propozim të ri përmes Pakistanit të premten.
Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve IRNA raportoi se një propozim për negociata me SHBA-në është dërguar përmes ndërmjetësve në Pakistan.
Agjencia nuk publikoi detaje dhe nuk është e qartë nëse propozimi ka arritur në Shtetet e Bashkuara.
Presidenti Trump u tha gazetarëve të premten pasdite:
“Sapo patëm një bisedë me Iranin. Le të shohim çfarë ndodh. Por do të thoja se nuk jam i kënaqur.”
Kjo vjen në një kohë kur procesi i ndërmjetësuar nga vende si Pakistani po vazhdon, por ende nuk ka marrëveshje të qartë mes palëve, raporton BBC./rtk