Franca konfirmon rast të ri me hantavirus nga anija e izoluar, OBSH-ja: Mund të ketë edhe infektime të tjera
Autoritetet franceze kanë konfirmuar një rast të ri me hantavirus te një grua e evakuuar nga anija turistike MV Hondius, ku deri tani janë raportuar disa raste të infektimit dhe tri viktima.
Ministrja franceze e Shëndetësisë, Stéphanie Rist, deklaroi se gruaja kishte lënë anijen gjatë operacionit të evakuimit të fundjavës dhe më pas rezultoi pozitive me virusin.
Ndërkohë, Ministria e Shëndetësisë në Spanjë bëri të ditur se dy rastet e dyshuara të identifikuara nga autoritetet spanjolle kanë rezultuar negative.
Anija MV Hondius mbërriti të dielën në portin Granadilla de Abona në Tenerife, prej nga pasagjerët po transferohen drejt vendeve të tyre të origjinës për teste mjekësore dhe izolim.
Edhe Shtetet e Bashkuara kanë njoftuar se një pasagjer po shfaq simptoma të lehta, ndërsa një tjetër ka rezultuar “lehtë pozitiv” në testin PCR për virusin Andes.
Sekretari spanjoll i Shëndetësisë, Javier Padilla, tha se autoritetet evropiane dhe Qendra Evropiane për Parandalimin dhe Kontrollin e Sëmundjeve (ECDC) i kanë konsideruar disa prej këtyre rezultateve si negative ose jo tipike për hantavirusin.
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë, deri tani janë konfirmuar gjashtë raste të lidhura me shpërthimin në anije, ndërsa autoritetet paralajmërojnë se mund të ketë raste të tjera për shkak të periudhës së inkubacionit që mund të zgjasë deri në gjashtë javë.
Epidemiologia e OBSH-së, Maria Van Kerkhove, ka deklaruar se situata nuk duhet krahasuar me fillimin e pandemisë COVID-19.
“Kjo nuk është SARS-CoV-2 dhe nuk është fillimi i një pandemie si COVID-19”, tha ajo, duke shtuar se hantavirusi transmetohet vetëm përmes kontaktit të ngushtë dhe intim dhe jo në mënyrën si koronaviruset.
Çfarë ndodhi në MV Hondius?
Tre pasagjerë kanë humbur jetën dhe nëntë të tjerë janë sëmurë në bordin e anijes turistike holandeze MV Hondius, e cila ndodhet pranë brigjeve të Kepit të Gjelbër me rreth 150 persona në bord
.Anija kishte nisur udhëtimin nga Argjentina më 1 prill dhe itinerari përfshinte Antarktidën dhe Ishujt Falkland, por plani u ndryshua pas shpërthimit të virusit.
Autoritetet shëndetësore po hetojnë mundësinë e transmetimit nga njeriu te njeriu, një fenomen që konsiderohet shumë i rrallë dhe që është lidhur kryesisht me virusin Andes.
Raste të lidhura me anijen janë konfirmuar edhe në Zvicër, ndërsa autoritetet në Britani kanë raportuar një rast të dyshuar tjetër.
Ndërkohë, disa shtete po përpiqen të gjurmojnë pasagjerët që zbritën nga anija para se shpërthimi të identifikohej zyrtarisht. OBSH-ja ka bërë të ditur se rreziku për publikun e gjerë mbetet i ulët.