Izraeli dhe Libani zgjasin armëpushimin me 45 ditë

Izraeli dhe Libani zgjasin armëpushimin me 45 ditë

Bota May 15, 2026 - 23:45

Izraeli dhe Libani kanë rënë dakord të zgjasin me 45 ditë armëpushimin e brishtë mes tyre, pas dy ditësh negociatash në Uashington, njoftoi sot Departamenti Amerikan i Shtetit (DASH), raportoi BBC.

Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Tommy Pigott, tha se SHBA-ja shpreson që bisedimet të çojnë drejt një paqeje të qëndrueshme mes dy vendeve, njohjes së ndërsjellë të sovranitetit dhe integritetit territorial, si edhe garantimit të sigurisë përgjatë kufirit të përbashkët.

Armëpushimi mes dy vendeve u shpall më 16 prill nga presidenti amerikan, Donald Trump, por përplasjet mes Izraelit dhe Hezbollah kanë vazhduar.

Ministria e Shëndetësisë e Libanit raportoi dje se sulmet ajrore izraelite në jug të vendit kishin shkaktuar vdekjen e 22 personave, mes tyre tetë fëmijë.

Sipas Departamentit Amerikan të Shtetit, raundi politik i negociatave do të rinisë në qershor, ndërsa më 29 maj në Pentagon do të hapet një linjë të veçantë komunikimi ushtarak me delegacione nga të dy vendet.

Kryeministri libanez, Nawaf Salam tha se synon të sigurojë mbështetjen arabe dhe ndërkombëtare për të forcuar pozicionin e Bejrutit në bisedimet me Izraelin.

Pavarësisht armëpushimit, në kufirin jugor të Libanit raportohen pothuajse çdo ditë shkëmbime zjarri.

Izraeli ka shtuar bombardimet ajrore dhe artilerinë në jug të vendit, duke pretenduar se po godet luftëtarë dhe infrastrukturë të Hezbollahut.

Nga ana tjetër, autoritetet libaneze akuzojnë Izraelin për sulme ndaj civilëve dhe ekipeve mjekësore, pretendime që Tel Avivi i ka mohuar.

Ushtria izraelite deklaroi se synon krijimin e një zone tampon në jug të Libanit, për të parandaluar sulme të ardhshme nga Hezbollahu.

Ndërkohë, organizatat për të drejtat e njeriut kanë paralajmëruar se disa nga operacionet mund të përbëjnë krime lufte, akuzë që Izraeli e ka hedhur poshtë.

Konflikti nisi më 2 mars, dy ditë pas sulmit të përbashkët të SHBA-Izrael ndaj Iranit.

Hezbollahu reagoi me sulme me raketa drejt Izraelit, ndërsa Izraeli nisi sulme të gjera ajrore dhe një ofensivë tokësore në jug të Libanit.

Sipas autoriteteve libaneze, të paktën 2 896 persona janë vrarë në Liban që nga nisja e luftimeve, ndërsa Izraeli ka raportuar 22 viktima, përfshirë 18 ushtarë dhe katër civilë./atsh