Përplasje në Bosnje lidhur me zyrën ndërkombëtare që mbikëqyr zbatimin e paqes
Disa miratojnë deklarata, të tjerë do ta zhvendosnin në Bruksel, ndërsa të tjerët e mbështesin. Kështu partitë politike në Bosnje dhe Hercegovinë e shohin të ardhmen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në prag të mbledhjes së Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), e cila pritet të mbahet në fillim të qershorit dhe në të cilën, siç paralajmërohet, duhet të zgjidhet përfaqësuesi i ri i lartë ndërkombëtar.
Në entitetin e Bosnje dhe Hercegovinës, Republika Sërpska, kanë shkuar një hap më tej, teksa më 26 maj miratuan Deklaratën për mbylljen e OHR-it.
Po atë ditë, nënkryetari i entitetit të Republikës Sërpska, Qamil Durakoviq, dërgoi në procedurë deklaratën e tij kundër mbylljes pa kushte të OHR-it, duke theksuar se për këtë mund të flitet vetëm kur të krijohen kushtet për mbylljen e Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë nga “Programi 5+2”.
Po ashtu, partitë politike nga entiteti tjetër, atë Federatës të Bosnje dhe Hercegovinës, porositën se OHR-i duhet të mbetet në Bosnje dhe Hercegovinë me kompetenca të plota.
Qëndrimet e kundërta të pushtetit në Bosnje dhe Hercegovinë, siç thotë analistja politike Tanja Topiq, dërgojnë mesazhin se vendi edhe pa OHR-in do të mbetej i bllokuar nga ngërçet politike.
“Sot shoqëria jonë nuk është shoqëri demokratike, institucionet janë të kapura, janë të kufizuara hapësirat e lirisë së shprehjes, lirisë së mendimit, shkelen të drejtat e njeriut, dhe vetëm atëherë mund të supozojmë se në çfarë mase kjo do të ishte edhe më e theksuar sikur të mos kishim zërin që vjen nga institucionet dhe organizatat ndërkombëtare”, vlerëson Topiq.
Përfaqësuesi i lartë që është ende në detyrë në Bosnje dhe Hercegovinë, Christian Schmidt, paralajmëroi se deri në fund të qershorit do ta lërë këtë post “për arsye personale”. Ai këtë post e ka mbajtur për gati pesë vjet.
Ende nuk dihet se kush do të jetë pasardhësi i tij.
Çfarë thonë partitë në pushtet në Bosnje dhe Hercegovinë?
Pushteti i Republikës Sërpska, i udhëhequr nga Aleanca e Socialdemokratëve të Pavarur të Millorad Dodikut, ka vazhduar politikën e kundërshtimit të përfaqësuesit të lartë, duke miratuar në Kuvendin Popullor të entitetit deklaratën kundër OHR-it.
Ndër të tjera, në atë dokument thuhet se ekzistenca e OHR-it është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me sovranitetin e Bosnje dhe Hercegovinës dhe aspiratat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.
Deklarata parashikon edhe shfuqizimin e vendimeve të përfaqësuesve të mëparshëm të lartë, si dhe një apel ndaj institucioneve ndërkombëtare për mbylljen e OHR-it.
Deklarata, sikurse edhe ato të mëparshmet, nuk është juridikisht detyruese dhe pasqyron qëndrimet dhe synimet politike në Republikën Sërpska.
Shtatë parti nga Federata e Bosnje dhe Hercegovinës, përfshirë Partinë Socialdemokrate në pushtet dhe Partinë e Veprimit Demokratik në opozitë, u përgjigjën me Memorandumin për mbrojtjen e rendit kushtetues, shtetësisë dhe rrugës euroatlantike të vendit.
Ata porositën se OHR-i duhet të mbetet në Bosnje dhe Hercegovinë, ku përfaqësuesi i lartë do të vazhdojë të ketë kompetencat e Bonit derisa institucionet e Bosnje dhe Hercegovinës “të mos kenë mekanizëm për tejkalimin e bllokadave”.
Po ashtu, presidenti i Unionit Demokratik Kroat të Bosnje dhe Hercegovinës, Dragan Çoviq, ditë më parë tha për Federalna TVse OHR-it i nevojitet transformim, kufizim i kompetencave, si dhe një zhvendosje e mundshme në Bruksel.
“Unë do të doja që përfaqësuesi i ri i lartë të zhvendosej në hapësirat e Brukselit, sepse nëse rruga jonë shkon në atë drejtim, pse të mos bëhet kjo? Që të ketë kapacitet të kufizuar në kompetenca dhe të jetë mekanizëm mbrojtës për Bosnjën e Dejtonit. Të gjitha të tjerat duhet të jemi në gjendje t’i zgjidhim vetë”, deklaroi Çoviq.
“Pasqyrim i marrëdhënieve brenda Bosnje dhe Hercegovinës”
Tanja Topiq vlerëson se politikanët serbë dhe boshnjakë deri më tani kanë pasur qëndrim të ngjashëm, por të kundërt ndaj OHR-it, ndërsa lideri i HDZ-it ka ndryshuar kursin politik.
Ajo shton se edhe në këtë rast janë kopjuar marrëdhëniet e zakonshme, sikurse edhe për shumicën e çështjeve të tjera.
Topiq thekson se deklarata nën patronazhin e Dodikut është vetëm një veprim për marrëdhënie me publikun, me të cilin pushteti aktual në Republikën Sërpska përpiqet të paraqitet si faktor kyç për largimin e përfaqësuesit Schmidt.
Sipas saj, OHR-i në Bosnje dhe Hercegovinë prej vitesh ka shërbyer si mjet në duart e të gjithë aktorëve politikë për qëllime të politikës ditore.
“Ne, në fakt, gjatë gjithë këtyre viteve kemi mundur të shohim se si njëkohësisht Zyra e Përfaqësuesit të Lartë dhe ajo lloj pranie ndërkombëtare, edhe pse është kundërshtuar ashpër, në fakt është përdorur si në narrativë ashtu edhe në veprimet e aktorëve politikë si arsyetim dhe alibi pse ata në të vërtetë nuk bëjnë asgjë”, thekson Topiq.
Ajo shton gjithashtu se kushdo që do ta zëvendësojë Christian Schmidtin, dikush në Bosnje dhe Hercegovinë do të jetë i pakënaqur.
Mjedis tjetër politik për përfaqësuesin e ri të lartë
Përfaqësuesi i ri i lartë, sipas të gjitha gjasave, nuk do t’i ketë duart e lira si paraardhësit e tij.
Shtetet e Bashkuara për tri dekada kanë qenë një nga shtyllat kryesore të mbështetjes për qasjen intervenuese të OHR-it.
Kështu, përfaqësuesit e lartë, me dritën e gjelbër nga Uashingtoni, përdornin të ashtuquajturat kompetenca të Bonit, të cilat u jepnin autorizime për të shkarkuar zyrtarë të zgjedhur dhe për të imponuar ligje.
Megjithatë, SHBA-ja në mbledhjen e fundit të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara të mbajtur më 12 maj, në të cilën Christian Schmidt prezantoi raportin mbi gjendjen në Bosnje dhe Hercegovinë, tha se kompetencat duhet të transferohen gradualisht tek udhëheqësit vendorë.
Përfaqësuesja e SHBA-së, Tammy Bruce, deklaroi gjatë mbledhjes se përfaqësuesi i ardhshëm i lartë duhet të ketë “mandat dukshëm më të kufizuar”.
Në të njëjtën mbledhje, Mbretëria e bashkuar dhe Franca shprehën mbështetje për OHR-in, ndërsa përfaqësuesi rus bëri thirrje për mbylljen e OHR-it dhe pretendoi se Christian Schmidt nuk është përfaqësues i lartë legjitim, duke përsëritur tezën e tij tashmë të diskredituar.
Bordi drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), në mbledhjen dyditore të caktuar për 3 dhe 4 qershor, pritet ta emërojë pasardhësin e Schmidtit, përfaqësuesin e nëntë të lartë që nga përfundimi i luftës në Bosnje dhe Hercegovinë.
Në këtë bord bëjnë pjesë SHBA-ja, Kanadaja, Japonia, Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, përfaqësues të Bashkimit Evropian e Komisionit Evropian, si dhe Organizata e Bashkëpunimit Islamik e udhëhequr nga Turqia.
Ky bord mbikëqyr zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit dhe zgjedh përfaqësuesin e lartë. Rusia u tërhoq nga ky trup në vitin 2021. /REL