Franca përgatit një spektakël gjigant drite te Statuja e Lirisë për 250-vjetorin e SHBA-së

Franca përgatit një spektakël gjigant drite te Statuja e Lirisë për 250-vjetorin e SHBA-së

Bota June 30, 2026 - 23:09

Franca po përgatit një shfaqje monumentale drite te Statuja e Lirisë në Nju Jork për të shënuar 250-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, duke festuar një nga simbolet më të rëndësishme të miqësisë mes dy vendeve.

Projekti, i përshkruar si një “krijim artistik monumental”, do të regjistrohet paraprakisht dhe do të transmetohet nga rrjeti amerikan ABC si pjesë e programit special kushtuar festimeve të 4 Korrikut. Sipas organizatorëve, shfaqja do ta prezantojë Statujën e Lirisë në një mënyrë të paprecedentë, përmes teknologjive moderne të ndriçimit dhe efekteve vizuale që do të theksojnë vlerën e saj historike dhe simbolike.

Konsulli i Francës në Nju Jork, Cédrik Fouriscot, deklaroi se iniciativa synon të nderojë lidhjen e gjatë mes dy kombeve. “Miqësia jonë daton prej 250 vitesh, mbetet e fortë dhe e thellë. Pikërisht për këtë arsye dëshironim të krijonim diçka vërtet të paharrueshme,” u shpreh ai.

I financuar tërësisht nga sponsorë privatë, projekti është konceptuar për të promovuar kreativitetin francez përmes teknologjisë dhe artit bashkëkohor. Për realizimin e tij u desh edhe një autorizim i veçantë nga Shërbimi i Parqeve Kombëtare të SHBA-së, institucioni që administron monumentin, pas disa muajsh negociatash.

Statuja e Lirisë, e vendosur në hyrje të Portit të Nju Jorkut, u projektua nga skulptori francez Auguste Bartholdi. Fillimisht projekti arkitektonik iu besua Eugène Viollet-le-Duc, ndërsa pas vdekjes së tij u përfundua nga inxhinieri i famshëm Gustave Eiffel, i njohur edhe për Kullën Eiffel në Paris.

Monumenti iu dhurua Shteteve të Bashkuara nga Franca në vitin 1886 dhe që prej atëherë është shndërruar në një simbol universal të lirisë, demokracisë dhe shpresës. Mbishkrimi i famshëm që fton “të lodhurit, të varfërit dhe ata që kërkojnë të jetojnë të lirë” vazhdon ta bëjë Statujën e Lirisë një nga monumentet më domethënëse në botë.

Me këtë spektakël të jashtëzakonshëm, Franca synon të rikujtojë jo vetëm historinë e përbashkët me SHBA-në, por edhe vlerat e përbashkëta të lirisë dhe miqësisë që kanë lidhur dy vendet për më shumë se dy shekuj.