Vizita e zyrtarëve talibanë në Moldavi shkakton stuhi politike
Një vizitë e zyrtarëve të Qeverisë së talibanëve në Afganistan - e cila nuk njihet ndërkombëtarisht - ka shkaktuar stuhi politike në Moldavi, vendin e vogël të Evropës Lindore.
Tre zyrtarë nga Ministria e Bujqësisë e talibanëve mbërritën në Kishinjev më 3 gusht për një vizitë disaditore, pasi u ishin lëshuar vizat.
Grupi militant islamist, i cili mori pushtetin në vitin 2021 pas tërheqjes së trupave ndërkombëtare nga Afganistani, është përpjekur ta përdorë këtë vizitë për të përmirësuar imazhin e vet ndërkombëtar dhe për të fituar legjitimitet.
Qeveria talibane cilësohet si një nga regjimet më shtypëse në botë. Bashkësia ndërkombëtare i ka futur udhëheqësit talibanë në listat e sanksioneve dhe e ka shkëputur grupin nga sistemi financiar global.
Vizita "zyrtare në Evropë" e talibanëve
Më 3 gusht, Ministria e Bujqësisë e talibanëve publikoi në platformën X një fotografi ku tre zyrtarët talibanë, të veshur me rroba tradicionale, shiheshin në pistën e aeroportit pranë një aeroplani të kompanisë Turkish Airlines.
Në mbishkrimin e fotografisë u theksua dy herë karakteri "zyrtar" i vizitës, duke e paraqitur atë si një çështje shtetërore të nivelit të lartë.
Që nga ai publikim, mediat e lidhura me talibanët kanë raportuar pothuajse orë pas ore për zhvillimet e vizitës.
Tribuna e Kabulit raportoi se zëvendësministri i Bujqësisë, Sadr Azam Osmani, kishte mbërritur në Moldavi "për të diskutuar zgjerimin e bashkëpunimit praktik dhe teknik ndërmjet dy vendeve".
Ariana News shkoi edhe më tej, duke cituar zëdhënësin e Ministrisë, i cili tha se delegacioni do të takohej me homologët moldavë për të diskutuar "zhvillimin e bujqësisë, kërkimin shkencor, mbrojtjen e bimëve, menaxhimin e dëmtuesve, teknologjitë moderne bujqësore dhe zbatimin e projekteve të përbashkëta kërkimore".
Televizioni shtetëror afgan e hapi edicionin kryesor të lajmeve të mbrëmjes së 3 gushtit me raportimin për këtë vizitë.
"E turpshme dhe e papranueshme"
Në qendër të polemikave ndodhet Vasile Sarban, zyrtari moldav që i ftoi tre përfaqësuesit talibanë. Ai tha se vendimin e mori me kërkesë të kompanive private moldave, të interesuara për të eksportuar në Afganistan.
"Besoj se është e drejtë që autoritetet e Moldavisë të kujdesen për operatorët ekonomikë të vendit", tha më vonë Sarban, zyrtar në Ministrinë e Bujqësisë dhe Industrisë Ushqimore të Moldavisë. "Nëse prodhuesit tanë thonë se nuk kanë ku t'i shesin produktet e tyre, shteti duhet t'i ndihmojë të gjejnë tregje".
Por, komentet e Sarbanit nuk arritën ta zbusnin zemërimin në rritje lidhur me vizitën.
Kur delegacioni taliban mbërriti në Kishinjev, Ministria e Jashtme e Moldavisë nxori me nxitim një deklaratë, duke konfirmuar se vizat ishin lëshuar, por duke u distancuar menjëherë nga mënyra se si talibanët po e paraqisnin vizitën.
Ministria theksoi se vizitorët "nuk janë subjekt i sanksioneve ndërkombëtare" dhe ritheksoi se "Republika e Moldavisë respekton plotësisht regjimet ndërkombëtare të sanksioneve dhe nuk e njeh Qeverinë talibane në Afganistan".
"Nuk do të ketë takime dypalëshe apo kontakte zyrtare me përfaqësuesit e delegacionit", shtoi Ministria.
Qeveria moldave njoftoi gjithashtu se kishte nisur një hetim për mënyrën se si ishin lëshuar vizat.
Kryeministri Vasile Tofan, në një postim në Facebook, e quajti këtë rast "të turpshëm dhe të papranueshëm", duke e cilësuar si dështim administrativ.
"Procedura u ndoq formalisht, por pa vlerësimin e nevojshëm politik dhe diplomatik", shkroi Tofan. "Një rast qartazi i ndjeshëm u trajtua si një dosje rutinë administrative. Rezultati ishte vendim i gabuar".
Kërkimi për partnerë
Rusia është i vetmi shtet që e ka njohur zyrtarisht Qeverinë talibane si qeverinë legjitime të Afganistanit. Ajo e bëri këtë në vitin 2025, katër vjet pasi talibanët u rikthyen në pushtet pas tërheqjes së forcave amerikane dhe të NATO-s nga Afganistani në vitin 2021.
Disa vende të tjera - përfshirë Kinën, Kazakistanin dhe Uzbekistanin - mbajnë marrëdhënie diplomatike, tregtare dhe ekonomike me talibanët, por pa e njohur zyrtarisht qeverinë e tyre.
Talibanët janë përpjekur të krijojnë marrëdhënie me vende në mbarë botën, një përpjekje që ekspertët thonë se synon të fitojë legjitimitet ndërkombëtar dhe të ndikojë në opinionin publik brenda Afganistanit.
Në qershor, zyrtarët talibanë zhvilluan për herë të parë bisedime në Bruksel për riatdhesimin e afganëve, pavarësisht kritikave të ashpra nga organizatat për të drejtat e njeriut, të cilat thanë se Bashkimi Evropian po i jepte legjitimitet grupit të linjës së ashpër, i akuzuar për kufizimin e skajshëm të të drejtave themelore të afganëve, veçanërisht të grave.