Tajfuni godet rajonin Kanto, paralajmërime për përmbytje në Japoni
Tajfuni Chan-hom ka goditur sot rajonin Kanto në Japoninë lindore, ku përfshihet edhe Tokio, me erëra që kanë arritur shpejtësi deri në 126 kilometra në orë, njoftoi Shërbimi Meteorologjik Japonez.
Autoritetet japoneze kanë paralajmëruar për rrezik të lartë për përmbytje në zonat e ulëta, rritje të nivelit të lumenjve dhe tejkalim të mundshëm të tyre, për shkak të reshjeve të dendura dhe erërave të forta.
Sipas agjencisë japoneze të lajmeve Kyodo, tajfuni pritet të lëvizë drejt Japonisë perëndimore të mërkurën, ndërsa më pas parashikohet të dobësohet dhe të shndërrohet në një depresion tropikal.
Të dhënat e Agjencisë Meteorologjike të Japonisë tregojnë gjithashtu se Chan-hom është tajfuni i parë që godet prefekturën Ibaraki, në verilindje të Tokios, që nga fillimi i regjistrimeve zyrtare në vitin 1951.