Reshje rekord në Japoni, të paktën katër të vdekur
Reshjet rekord që goditën prefekturën Chiba, pranë Tokios, kanë shkaktuar përmbytje të mëdha, paralizuar trafikun dhe lënë mijëra udhëtarë të bllokuar në aeroportin ndërkombëtar Narita. Të paktën katër persona kanë humbur jetën, ndërsa një tjetër rezulton i zhdukur.
Në disa zona të Chibas ranë më shumë se 360 milimetra shi brenda 24 orëve, duke përmbytur rrugë, banesa dhe linja hekurudhore. Reshjet goditën Japoninë gjatë një prej periudhave më të ngarkuara të udhëtimeve në vend.
Situata ka shkaktuar një kaos të madh në transport. Rreth 7 mijë persona mbetën të bllokuar në aeroportin Narita, pasi lidhjet hekurudhore dhe rrugore u ndërprenë. Shumë udhëtarë kaluan natën në terminale, ku personeli i aeroportit shpërndau batanije, ujë dhe ushqime, shkruan reuters.
Megjithëse disa linja hekurudhore mbetën të pezulluara, një pjesë e shërbimeve mes Naritës dhe Tokios u rikthyen të premten, duke lehtësuar pjesërisht trafikun. Fluturimet në aeroport pritej të zhvilloheshin sipas planit, megjithëse kompania Japan Airlines paralajmëroi për vonesa të mundshme.
Përmbytjet kanë shkaktuar edhe ndërprerje të energjisë elektrike. Më shumë se 22 mijë familje mbetën pa energji të premten në mëngjes, ndërsa qindra persona u strehuan në qendra të përkohshme evakuimi të ngritura në ndërtesa publike.
Autoritetet kanë angazhuar edhe forcat e armatosura për të ndihmuar në operacionet e shpëtimit dhe përballimin e pasojave të katastrofës. Më shumë se 200 mijë banorë në zonat e prekura janë këshilluar të kërkojnë strehim në vende të sigurta.
Guvernatori i Chibas, Toshihito Kumagai, e përshkroi situatën si “krejtësisht të pazakontë”, duke thënë se, pavarësisht përvojës së tij në përballimin e shumë fatkeqësive, nuk kishte përjetuar më parë një situatë të tillë.
Autoritetet paralajmërojnë se rreziku nuk ka përfunduar plotësisht, pasi reshje të tjera priten gjatë ditës dhe tokat e ngopura me ujë mund të rrisin rrezikun për përmbytje dhe rrëshqitje dheu.
ëJUST IN: Record-breaking rainfall hit Chiba Prefecture on Thursday, August 13.
— Qeeb (@Qeeb_1) August 13, 2026
The Japan Meteorological Agency issued its highest-level Level 5 emergency warning for heavy rain across 19 cities and towns—the first for the region. In Chiba City’s Chuo Ward, 115 mm of rain fell… pic.twitter.com/r3RVTCzWfV