Shirat e rrëmbyeshëm në Kinën Jugperëndimore, dhjetë vdekur dhe mbi 21 mijë të evakuuar
Shirat e rrëmbyeshëm që kanë përfshirë pjesë të Kinës Jugperëndimore kanë shkaktuar të paktën 10 viktima, shembje banesash dhe rrëshqitje dheu, ndërsa autoritetet kanë evakuuar 21,784 persona si masë parandaluese.
Sipas mediave të huaja reshjet kanë prekur disa zona, duke përfshirë Chengdu dhe Zigong, ndërsa provinca Sichuan është përfshirë nga një situatë e rënduar atmosferike dhe paralajmërime për rrezikun e përmbytjeve dhe fatkeqësive natyrore.
Pesë persona humbën jetën në Sichuan pasi uji i grumbulluar në çatinë e një banese shkaktoi shembjen e saj dhe të një muri. Ngjarja ndodhi gjatë një feste të organizuar për të festuar suksesin e fëmijëve në provimet e pranimit në universitet.
Tre persona të tjerë humbën jetën në një banesë në qarkun Changning, ndërsa dy viktima u regjistruan në një spital ku po trajtoheshin 17 persona të plagosur. Autoritetet nuk kanë bërë të qartë nëse mes të plagosurve kishte fëmijë apo të rinj.
Ndërkohë, reshjet kanë bllokuar rrugë në zonat malore të Garze dhe Aba. Në provincën Guangxi, ekipet e shpëtimit po vijojnë operacionet pas një rrëshqitjeje dheu në një kantier ndërtimi, ku pesë persona u bllokuan dhe u nxorën pa ndjenja.
Guangxi dhe zona të tjera të Kinës Jugperëndimore janë përballur me reshje intensive që prej fillimit të verës, duke rritur rrezikun e përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut.