Von der Leyen dënon planin e Izraelit për ndërtimin e banesave në Bregun Perëndimor
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar planin e qeverisë izraelite për të shpallur tenderë për ndërtimin e njësive të reja të banimit në kuadër të projektit “E1” në Bregun Perëndimor të pushtuar.
“Vendimi i qeverisë izraelite për të publikuar një thirrje për tender për ndërtimin e banesave në kuadër të programit të strehimit E1 është i papranueshëm”, deklaroi von der Leyen përmes një postimi në rrjetin social X.
Ajo theksoi se Bashkimi Evropian e ka kundërshtuar prej kohësh këtë projekt, duke paralajmëruar për pasojat e tij në situatën politike dhe territoriale në Bregun Perëndimor.
Edhe disa prej vendeve kryesore evropiane kanë shprehur kundërshtimin e tyre ndaj planit izraelit. Franca, Gjermania, Britania e Madhe dhe Italia publikuan të enjten një deklaratë të përbashkët, në të cilën dënuan projektin dhe shprehën shqetësimin për ndikimin e tij në perspektivën e një zgjidhjeje me dy shtete.
Projekti E1 parashikon ndërtimin e banesave në një zonë strategjike të Bregut Perëndimor, mes Jerusalemit dhe vendbanimit Ma’ale Adumim, dhe prej vitesh ka qenë objekt i kundërshtimeve ndërkombëtare. /abcnews