Teherani kundërshton sanksionet e propozuara nga SHBA-ja
Teherani ka kundërshtuar planin e fundit të Uashingtonit për sanksione të ashpra ekonomike, të cilat presidenti amerikan, Donald Trump, i përshkroi si “të paprecedentë” dhe “D-Day ekonomik” për regjimin iranian, i cili tashmë po përpiqet të frenojë rritjen e çmimeve dhe zhvlerësimin e monedhës kombëtare.
Në një postim në X në orët e vona të 21 gushtit, ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi, pretendoi se fushata e re e sanksioneve amerikane do të dështojë, ashtu si ato të mëparshmet.
Duke cituar deklaratat e mëparshme amerikane për sanksionet ekonomike ndaj Iranit, si “sanksionet më të ashpra në histori”, “presioni maksimal” dhe “operacioni ekonomik më shkatërrues ndonjëherë”, Araqchi tha se regjimi i fundit i sanksioneve do të ketë të njëjtin fat.
Trump njoftoi këtë javë se Uashingtoni synon të vendosë një nivel “të paprecedent” sanksionesh ekonomike ndaj regjimit për ta detyruar atë t’i japë fund programit të tij bërthamor dhe që të rihapë plotësisht Ngushticën e Hormuzit.
Me gati 20 për qind e furnizimit global me naftë që kalon përmes kësaj rruge jetike ujore, mbyllja e ngushticës ka ndikuar negativisht në furnizimin botëror me energji dhe ka bërë që çmimet e naftës në tregjet ndërkombëtare të arrijnë në nivele rekord.
Ndërkaq, Ministria e Jashtme e Iranit tha se sanksionet e propozuara janë të barasvlershme me “luftë ekonomike”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Esmail Baqaei, shkroi në rrjetet sociale më 22 gusht se sanksionet dytësore ndaj bankave, bizneseve dhe aeroporteve të huaja nuk kanë bazë, sipas të drejtës ndërkombëtare dhe shkelin parimin e sovranitetit të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara.
“Ky është një pretendim për sovranitet ekstra territorial mbi çdo shtet të pavarur anëtar të Kombeve të Bashkuara”, shkroi ai.
Më 20 gusht, sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i tha rrjetit amerikan të lajmeve CNBC se plani i Uashingtonit për intensifikimin e sanksioneve ekonomike ndaj Iranit do ta “rrëzojë” Republikën Islamike.
“Është një goditje e dyfishtë. Ne kemi bllokadën [ndaj porteve iraniane] dhe do të kemi sanksionet më të ashpra në histori”, deklaroi ai. /REL