Macroni premton raketa interceptuese për Ukrainën
Franca do ta shtojë mbështetjen ushtarake për Ukrainën, duke përshpejtuar dërgimin e pajisjeve dhe raketave të reja për forcimin e mbrojtjes ajrore të vendit.
Presidenti francez Emmanuel Macron ka zhvilluar një bisedë me homologun e tij ukrainas Volodymyr Zelensky, gjatë së cilës u diskutua veçanërisht mungesa e sistemeve të mbrojtjes ajrore dhe nevoja e Kievit për kapacitete shtesë përballë sulmeve ruse.
Zelensky bëri të ditur se është arritur marrëveshje që pajisjet dhe raketat më të fundit franceze të mbërrijnë më shpejt në Ukrainë. Ai falënderoi gjithashtu Francën për gatishmërinë që t’i mundësojë Ukrainës prodhimin e raketave përmes licencimit.
Macron e konfirmoi rritjen e mbështetjes franceze, përfshirë raketat interceptuese për mbrojtjen ajrore, pas sulmit të rëndë rus në Krivyi Rih, ku autoritetet ukrainase raportuan për viktima dhe dhjetëra të plagosur.
Ukraina është duke pritur edhe sistemin e ri franko-italian të mbrojtjes ajrore SAMP/T-NG, i projektuar për të interceptuar edhe raketa balistike. Dorëzimi i tyre, sipas raportimeve të mëhershme, nuk pritet të ndodh para pranverës së ardhshme.
Parisi dhe Kievi kanë thelluar bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes edhe përmes planeve që Ukraina të prodhojë me licencë armë franceze, përfshirë raketa interceptuese Aster, raketa SCALP dhe bomba të drejtuara me precizion.