BE-ja ndan 6.1 miliardë euro, Costa: Lufta e Ukrainës është edhe lufta jonë
Bashkimi Evropian ka miratuar ndarje të reja fondesh në vlerë prej 6.1 miliardë eurosh për sektorin e mbrojtjes së Ukrainës.
Komisioni Evropian njoftoi se fondet do të destinohen për sistemet e mbrojtjes ajrore dhe kundër raketore, raketa, municione dhe radarë.
Vendimi është marrë me rastin e 35-vjetorit të Pavarësisë së Ukrainës dhe, sipas Komisionit Evropian, riafirmon përkushtimin e Evropës për të mbështetur mbrojtjen dhe qëndrueshmërinë e Ukrainës përballë agresionit të vazhdueshëm rus.
Ndërkohë, në Kiev po zhvillohen takime në kuadër të Koalicionit të të Vullnetshmëve, ku pritet pjesëmarrja e liderëve në mënyrë fizike dhe përmes videolidhjes.
Në Kiev ka mbërritur edhe presidenti i Këshillit Evropian, Antonio Costa, i cili ka deklaruar se ndodhet në kryeqytetin ukrainas për të shënuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës dhe për të ritheksuar mbështetjen e Bashkimit Evropian.
“Ukraina është një komb i lirë dhe guximtar. Lufta e saj është edhe lufta jonë”, ka deklaruar Costa.
Ndërkohë, forcat mbrojtëse të Ukrainës kanë njoftuar se gjatë 24 orëve të fundit janë shkatërruar 76 dronë rusë në sektorin e Zaporizhzhias.
Sipas autoriteteve lokale, shumica e dronëve të rrëzuar ishin të modelit rus “Molniia”, ndërsa është bërë e ditur se veprimet e njësive të mbrojtjes ajrore kanë parandaluar goditjen e objektivave civile. /rtk