Papa Leone XIV kërkon rregulla etike për IA-në: Njerëzimi rrezikon të bëhet viktimë e shpikjeve të veta

Papa Leone XIV kërkon rregulla etike për IA-në: Njerëzimi rrezikon të bëhet viktimë e shpikjeve të veta

Bota August 28, 2026 - 23:05

Papa Leone XIV paralajmëroi sot se zhvillimi me ritme të shpejta i Inteligjencës Artificiale mund ta vendosë njerëzimin përballë rrezikut që të bëhet “viktimë e shpikjeve të veta”, duke kërkuar krijimin e një kuadri etik për përdorimin e IA-së dhe teknologjive të tjera digjitale.

Gjatë një takimi në Vatikan me anëtarë të Institutit Ndërkombëtar të Shkencave Administrative, papa Leone tha se ritmi i zhvillimit të Inteligjencës Artificiale ngre pikëpyetje serioze për aftësinë e njerëzimit për të kontrolluar këto teknologji.

“Një nga problemet serioze sot është fakti se vendimet që lidhen me jetën njerëzore po u besohen makinerive”, paralajmëroi ai.

Ai theksoi nevojën për të ruajtur rolin e pazëvendësueshëm të inteligjencës njerëzore përballë teknologjive të reja dhe u kërkoi autoriteteve publike të marrin vendime duke pasur në qendër të mirën e njerëzimit.

Papa kërkoi gjithashtu krijimin e një kuadri etik që të udhëheqë zhvillimin dhe përdorimin e Inteligjencës Artificiale dhe mjeteve të tjera digjitale.

Sipas tij, këto teknologji po përqendrohen gjithnjë e më shumë në duart e aktorëve të mëdhenj ekonomikë dhe teknologjikë, ndërsa qeveritë po përballen me vështirësi në ushtrimin e një mbikëqyrjeje efektive.

“Duhet të sigurohemi që e mira e familjes njerëzore të mos sakrifikohet për interesat private”, u shpreh papa Leone XIV.

Ai u bëri thirrje studiuesve dhe institucioneve publike të vazhdojnë kërkimet për mënyra që teknologjitë digjitale të vendosen në shërbim të njeriut.

“Duhet të kontribuojmë në humanizimin e teknologjive digjitale, në mënyrë që ato t’i shërbejnë jetës dhe paqes”, tha papa.

Ai iu referua gjithashtu enciklikës së tij të parë, “Magnifica humanitas”, kushtuar mbrojtjes së njeriut në epokën e Inteligjencës Artificiale. /atsh